TOB nis sezonin artistik në shesh, së shpejti përfundon rikonstruksioni

0
36

Teatri i Operës dhe Baletit e çel sezonin artistik në sheshin “Skënderbej”. Nën titullin “Opera Opening-Countdown” vijnë dy mbrëmje gala në data 20 dhe 21 shtator, në sheshin para godinës që është drejt përfundimit të rikonstruksionit. Artistët e TKOBAP dhe këngëtarë të njohur të muzikës së lehtë dhe moderne do të ngjiten në skenë me pjesë nga produksionet më të suksesshme të operës dhe baletit, këngë të njohura të muzikës së lehtë shqiptare dhe hiteve botërore. Drejtoresha e këtij institucioni Zana Çela në prani të ministres së Kulturës Elva Margariti u shpreh se shtëpia e operës dhe baletit së shpejti hap dyert e rikonstruksionit të parë dhe të plotë në historinë e saj. “Përdoret fjala shtëpi, si edhe në operat e njohura të Evropës për të simbolizuar faktin që opera i përket të gjithëve. E njëjta filozofi do të vazhdojë të na udhëheqë në vazhdim, opera dhe baleti, na përket të gjithëve. Është krijuar një ide jo dhe aq e drejtë, që opera apo baleti i përket një shtrese të caktuar të shoqërisë e identifikuar si elita. Edhe po t’i referohemi historisë vërejmë se që në Italinë e shekullit XVI ajo ishte një nga shfaqjet më popullore dhe më tërheqëse. Angazhimin tonë për të treguar, që opera dhe baleti i përket të gjithëve e tregon më së miri hapja e madhe në sheshin “Skëndërbej” me titullin “Opera Opening- Countdown”, tha drejtoresha Çela në fjalën e saj. Me mbrëmjet gala, TOB do të festojë nisjen e sezonit dhe hapjen së shpejti të godinës së rikonstruktuar, por e pranishme në konferencë, ministrja e Kulturës e konsideroi domosdoshmëri, që artistët të hynë sa më shpejt në shtëpinë e tyre. Sipas Margaritit, edhe nëse do të shfaqen problematika në vijim ato do të kapërcehen. “Kjo është një sfidë shumë e madhe për qeverinë shqiptare, nuk është ndërmarrë ndonjëherë një ristrukturim kaq i thellë i kësaj godine edhe me siguri do të ketë problematika, që do të shfaqen në vijim, por kjo nuk ka asgjë negative në vetvete. Unë do doja që edhe prej jush, që këto mos të shihen si kritika të vazhdueshme. Është një punë kolosale edhe me siguri që do të ketë edhe disa hendeqe të vogla, që duhet kapërcyer. Por ne jemi këtu për t’i kaluar së bashku”, tha Margariti. Ndërsa në sallën e madhe punimet vazhdojnë ende, ato kanë përfunduar në sallën e orkestrës, të korit, në palestrën e ansamblit apo dhe të balerinëve, po ashtu dhe në sallat e shtuara për performancat e ndryshme artistike dhe studiot, ku këngëtarët do të bëjnë prova.

Leave a Reply