Komedia “Revizori” premierë në skenën e teatrit, një vepër që i flet kohës

0
492

Sezoni artistik në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës nis me një nga kryeveprat e komedisë ruse, “Revizori” nga shkrimtari i madh rus Nikolai Gogol. Premiera teatrore në skenë vjen me regji nga Driada Dervishi, një emër i vlerësuar në jetën artistike. Gjatë muajit mars ne e pamë regjisoren e njohur Driada Dervishin tek komedia “8 Femrat”, për të vijuar dhe me shfaqjen “Komedia që shkon për dreq” si dhe “Shirli Valentina”, tani hapet sezoni artistik me komedinë “Revizori”. E njohur edhe me titullin “Kryeinspektori” kjo vepër është vënë në vitin 1972 në teatrin e Durrësit, me regji të Vangjel Hebës, por tani vjen me një koncept të ri nga regjisorja Driada Dervishi. Vepra pritet të jetë në skenën e teatrit në mesin e javës së fundit të shtatorit. “Revizori”, një vepër aktuale në të gjitha kohërat vjen me aktorët Gentian Zenelaj, Amos Muji Zaharia, Besmir Bitraku, Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Marvin Tafaj, Xhejni Fama, Kastriot Shehi, Gjergj Doçi, Jaho Guma dhe Erion Hodo. Muzika mban emrin e kompozitorit të njohur Haig Zacharian dhe koreografia nga Elton Cefa. Në punë për të sjellë në skenë premierën e parë të këtij sezoni në teatrin e Durrësit, regjisori Driada Dervishi shprehet se me këtë pjesë ishte njohur që në kohën e shkollës. “Jam përpjekur, që të sjell në teatrin “Aleksandër Moisiu” vepra të autorëve të mëdhenj, të cilët i flasin kohës në çdo kohë. “Revizori” pasi unë e kisha lexuar shumë herë në shkollë kishte lënë gjithmonë një shije, që i fliste mjaft kohës dhe në një moment të caktuar jam menduar gjithmonë që ti rikthehem kësaj pjese. Duke hulumtuar në arkivat edhe të teatrit të qytetit të Durrësit, unë shikoj që ajo është vënë në këtë teatër para 47 vitesh në skenë. Por sigurisht ajo ka njohur vënie të suksesshme edhe në skenën e Tetarit Kombëtar gjatë periudhës së realizmit socialist, por dhe më pas. Unë e kuptova që kjo vepër në kohë të ndryshme ka pasur qasje të ndryshme me aktualitetin”, pohon regjisorja.

Komedia në skenë

Duke folur për veprën, regjisorja Driada Dervishi tregon se në qendër të saj është një administratë e korruptuar, një fenomen që e has në kohët tona. “Mendoj që sot po ta lexosh Gogolin, shikon se sa sot bota ka ndryshuar. Është shumë e vështirë për të bërë ndryshime të mëdha. Në këtë kontekst kjo vepër është një komedi e njohur në të gjithë botën, që ka në qendër një administratë të korruptuar, që bën çdo gjë vetëm të mos humbë karrigen. Në këtë sens është një fenomen, që e has rëndom në kohët tona, dhe sigurisht është një variant mbi këtë komedi kaq të njohur, që në stad nuk është një komedi tipike, por një komedi e një situate absurde, e cila krijon komiken”, vijon regjisorja.Kritika e sotme bie dakord për gjenialitetin e komikes dhe dramatikes të përdorur tek “Revizori” dhe e etiketon një kryevepër komike, madje në një komeditë më të mëdha të shkruara ndonjëherë në skenën ruse. Gogoli është cilësuar si babai i realizmit rus dhe “Revizori” prezantoi parimet dramatike të realizmit në skenë. Nevoja për një realizëm e vërtetësi në skenë ishte një nga shqetësimet e tij kryesore, duke pasur parasysh dhe natyralizmin e asaj kohe. Ai qëllimisht gërsheton burleskun me një fabul të jetës së përditshme, që u flet vazhdimisht njerëzve. Kjo komedi vjen sot si një domethënie e ngjarjeve të përditshme. “Revizori” hyn në vetë thelbin e teatrit, i cili konsiston në të bërit shfaqje të gjalla të ngjarjeve të ndodhura apo të trilluara ndërmjet qenieve njerëzore, duke i parë nga këndvështrim zbavitës. Ironia, keqkuptimi dhe situata komike përbëjnë thelbin e “Revizorit”. Subjekti është mjaft lexueshëm, që flet mbi korrupsionin dhe kalbësinë e një sistemi. Ai vendoset enkas në një qytet të vogël, disi të humbur ku kryetari i tij është i zhytur në korrupsion po ashtu dhe ata që vijnë pas tij, duke dhënë kështu idenë se të gjithë qytetet e kanë një administratë të tillë. Gogoli gjithsesi ia vë fajin individëve dhe jo kushteve, pasi janë ata vetë që i ndërtojnë kushtet. 

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here