“Lopata e artë”, në skenë për dramën e njeriut të thjeshtë dhe jetën përmes vuajtjeve

0
308

Shfaqja teatrore “Lopata e artë” nga teatri “Mërgimtari” i Kroacisë do të shfaqet mbrëmjen e së premtes në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Me autor Ferdinand Hysi dhe regji nga Leonard Hamitaj, kjo vepër teatrore deri tani ka qenë në disa skena. Shfaqja u prezantua për publikun më parë në qytetin e Vlorës në teatrin “Petro Marko”, për të vijuar dhe në skenën e “ArTurbinës”. Vepra këtë të premte do të jetë në Durrës dhe më pas në qytetin e Fierit për publikun. “Lopata e artë” është drama e njeriut të thjeshtë, që gjithë jeta e tij e ka kaluar mes vuajtjeve, mundimeve, nënvlerësimit dhe përçimit të të qenit njeri nga shoqëria që e rrethon. Kur papritur, pasi ka vdekur, e sheh veten të respektuar me një përkujdesje fiktive, nderim fallco, po nga ajo shoqëri. Drama, nëpërmjet ironisë dhe sarkazmës, është një çjerrje maske e gjithë teatralitetit, që shpesh hasim sot në jetën e përditshme. Ndaj lënies jashtë vëmendjes të njeriut sa është në jetë dhe ndaj idealizmit dhe fryrjes së vlerave te tij kur nuk jeton më. Njëkohësisht është një akuzë ndaj asaj pjese të shoqërisë që shfrytëzon vlerat reale të të qënit njeri, për interesat e saj. “Lopata e artë” nga teatri “Mërgimtari” i Kroacisë shfaqet në Durrës pas skenës së “ArTurbinës” dhe në monodramë në rol vjen Leonard Hamitaj, si dhe marrin pjesë dhe Enisa Majer dhe Vedran Kojic. Me autor Ferdinand Hysi, muzika është e realizuar nga Vedran Kojic art & desing Josip Fabianic. Shfaqja realizohet me financimin e Këshillit për pakicat kombëtare të Republikës së Kroacisë dhe bashkëpunimin. Vepra “Lopata e artë” po shfaqet gjatë këtyre ditëve në skenat e ndryshme të teatrit në vendin tonë, por si autor i saj dramaturgu i njohur Ferdinand Hysi shprehet se ky bashkëpunim vjen pas një tjetër vepre, që është vënë në skenën e Kroacisë. “Vjet ata vunë në kroatisht në Zagreb dramën time “Tri mendje në ankand”, isha dhe unë atje, ku lindi edhe ideja e kësaj vepre”, pohon autori Hysi.

Puna me veprën

 “Lopata e artë”, po vijon të jetë në skenat e teatrit, ku është ndjekur dhe nga autori Ferdinand Hysi. Në reagimin e tij dramaturgu shprehet se është bërë një punë serioze dhe profesionale për ta sjellë këtë monodramë në skenën teatrore. “Isha në Vlorë dhe e pashë në premierë, por dhe këtu në Tiranë. Një punë shumë serioze dhe profesionale e regjisorit. E vështirë, si monodramë, e ka ai peshën, por e zgjidhur mirë si regjisure, me një interpretim shumë të ndjerë dhe në një bashkëveprim të mirë me dy partnerët e tjerë”, tregon për shfaqjen autori Ferdinand Hysi. Në aktivitetin e teatrit si dramaturg Ferdinand Hysi është nga emrat e vlerësuar me veprat e tij. Në skenat ku janë shfaqur janë mirëpritur nga publiku dhe kritika, dhe gjithmonë janë vlerësuar për mesazhet që përcjellin. Por këtë herë me veprën “Lopata e artë”, autori Ferdinad Hysi shprehet se thërret për treguar dashurinë për njeriun, por sa është gjallë. “Është drama e njeriut të thjeshtë, një varrmihësi, që gjithë jetën e tij ka punuar pa ja varur njeri, i përçmuar, i nënvleftësuar, i padashuruar, kur papritur e sheh veten që pasi ka vdekur, është bërë një ceremoni e madhe në nder të tij dhe e sheh veten të dekoruar me dekoratën “Lopata e artë” dhe njëkohësisht i veshur me rroba, që kurrë nuk i kish pasur në jetën e vet. Drama në fund thërret: Duajeni njeriun sa është gjallë, se pasi vdes, pak rëndësi ka”, pohon autori Hysi. Kjo vepër e autorit Ferdinand Hysi vjen në skenë pas asaj me titull “Vdiq mbreti, rroftë mbreti” në Teatrin Kombëtar me regji nga Elma Doresi.

 Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here