Qeveria heq taksat për rindërtimin e banesave të prekura nga tërmeti dhe falen borxhet e energjisë dhe ujit, akordohen 6 milionë dollarë

0
27

Qeveria ka vendosur të ofrojë lehtësira dhe mbështetje për familjet e dëmtuara nga tërmeti i pak ditëve më parë. Kryeministri Edi Rama, në një konferencë shtypi, bëri të ditur planin e masave për tu ardhur në ndihmë qindra familjeve të prekura. Qeveria ka vendosur që të falë borxhet për ujin dhe dritat për familjet ndërtesat e të cilave janë dëmtuar, ndërkohë që do të ketë subvencionim kur të kthehen në banesat e tyre. “OSHEE dhe Ujësjellësi do të marrin vendime për të zeruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte pabanueshmërie, që do të thotë se për të gjithë ato familje do të zerohen të gjitha borxhet dhe do të subvencionohet 100 për qind tarifa që paguhet edhe kur t’i nuk je në banesë. Ndërkohë që për familjet e tjera nisur nga shkalla e dëmtimit do të ketë masa të përshkallëzuara. Ky është një lehtësim dhe shprehje solidariteti me ato familje që u prekën seriozisht nga tërmeti dhe duhet të bëjnë durim deri kur mund të futen në shtëpinë e rindërtuar. Familjet në kushte të pabanueshme janë në kujdesin e autoriteteve”, deklaroi Rama.

Fondi për të dëmtuarit nga tërmeti
Kryeministri Rama gjatë konferencës tha se, fondi paraprak për dëmet e shkaktuara nga tërmeti është rreth 6 milionë dollarë, ndërsa theksoi se për të gjitha familjet që do të duan t’i ndërtojnë vetë godinat, do të kenë procedura të lehtësuara, ku bëri të ditur se leja e ndërtimit do të merret brenda 5 ditëve, pa paguar asnjë taksë. “Duhet të presim një rakordim nga njësitë vendore pasi kanë kërkuar që çdo verifikim të bëhet jo bazuar tek vetëdeklarimet, por tek inspektimet, që do jenë të dyfishta. Policia e Shtetit me një grup të Emergjencave Civile dhe me ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve private me inxhinierë dhe nga ana tjetër, njësitë vendore. Do të bëhet verifikim i plotë dhe shifra të sakta që përputhen, jo të përafërta. Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë, kush do ta bëjë vet, është i lirë ta bëjë vet, nuk do të paguajë asnjë taksë”, tha kryeministri.
Lejet e sigurimit
Lejet e sigurimit ishin një tjetër pikë diskutimi gjatë konferencës. Kryeministri Rama tha se nuk do të ketë leje ndërtimi pa policën e sigurimit, ndërsa paralajmëron se në rast shkeljesh, përfundojnë në burg të dyja palët. “Leja e ndërtimit për godina kolektive do të lidhet me sigurimin. Nuk do të jepet më leje ndërtimi pa policën e sigurimit, që duhet ta disponojnë që në fillim arkitektët dhe grupet e projektimit, që duhet ta depozitojnë investitorë apo kërkuesi i lejes në dosjen kur kërkon lejen, dhe detyrimin për kompanitë e sigurimit, që të garantojnë zbatimin e saktë dhe pa shkelje të lejes. Do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit. Ajo do të marrë përsipër të garantojë blerësin dhe autoritetin që ka dhënë lejen, se godina përputhet me atë që është dhënë leja. Në të kundërt do të shkojnë përpara ligjit të dyja palët”, deklaroi kryeministri. Rama tha gjithashtu se pas tërmetit të 21 shtatorit, ka marrë mbështetje nga ndërkombëtarët, ndërsa përmend se ka komunikuar drejtpërdrejtë me Presidentin e Turqisë, Kryeministrin e Italisë, Presidentin e Francës, Kancelarin e Austrisë.

Ornela Çelpica

Leave a Reply