Uniformat blu jetojnë me kredi, prej 3 vitesh nuk marrin dietat e prapambetura dhe kompensimin për orët shtesë

0
331

Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vijon të jetë në borxh me efektivët e rendit, pasi nuk u ka paguar orët suplementare dhe dietat e prapambetura për shërbimet jashtë rrethit, nga viti 2017. Ka qenë Avokati i Popullit, i cili i ka kërkuar qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për marrjen e masave të menjëhershme për sigurimin e fondeve për likuidimin e detyrimeve për vitin 2017, 2018 dhe 2019, duke përfshirë edhe kompensimin e ushqimit. Sipas dokumentit, rezulton se pagesat e prapambetura kanë rënduar buxhetin familjar të punonjësve të policisë, të cilët për të zgjidhur problemet ekonomike detyrohen të marrin kredi në banka. Ligji i ri i Policisë së Shtetit solli ulje pagash për më shumë se 2300 punonjës për shkak të suprimimit të gradës kryeinspektor. Nga viti 2016 e në vazhdim këta punonjës vazhdojnë të marrin 7000 deri në 9000 lekë të reja më pak, dhe për këtë arsye avokati kërkon tu jepen gradat dhe pagat për grada efektivëve që përmbushin kushtet dhe kriteret sipas ligjit për gradën inspektor i dytë dhe inspektor i parë. Ndërkaq, një tjetër problematikë që nga avokati kërkohet t’i jepet zgjidhje, është trajtimi financiar për punë të dëmshme, duke bërë që mbi 500 efektivë të mos trajtohen financiarisht në masën 7 mijë lekë në muaj. Gjatë vitit 2019 punonjësit e rendit janë angazhuar në punë me orare të zgjatura pothuajse çdo ditë, duke përmendur këtu ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë protestave të opozitës apo dhe shoqërimin e Kryeministrit në mitingjet jashtë Tirane. Këto problematikat janë ngritur nga Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë drejtuar Avokatit të Popullit me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për gjetjen e fondeve. Ndërkohë, nga ana tjetër Policia e Shtetit ka theksuar se orët suplementare dhe orët e natës vijojnë të paguhen në varësi të plotësimit të dokumenteve nga efektivët e policisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here