Vendimi i Gjykatës së Lartë, ushtarakët japin alarmin: Po na mbahet 100 për qind e pensionit, ja si po shkelet ligji

0
546

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili detyron ushtarakët të kthejnë mbrapsht pensionet i ka futur këta të fundit në qorrsokakë. Rreth 1 mijë persona kanë përfunduar gjyqeve dhe beteja vazhdon. Nëpërmjet një vendimi unifikues, Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimet që kanë shpallur fitues të proceseve gjyqësore ushtarakët e si pasojë këta të fundit duhet të dorëzojnë 2-37 milionë lekë të vjetra. Por ky vendim i Gjykatës së Lartë për të rikthyer paratë e marra nga pensionet, ka futur në kaos ushtarakët. Alarmin e ka dhënë kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Thoma Konduri. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Konduri deklaroi dje se me daljen e këtij vendimi të vitit 2016, ushtarakët që i kapi ky vendim janë të detyruar të kthejnë paratë. Në këtë kontekst, Konduri akuzoi Institutin e Sigurimeve Shoqërore se po bën shkelje, pasi nuk zbaton vendimin sipas ligjit duke mbajtur deri në 20% të pensionit suplementar, por sipas tij, i mbajnë ushtarakut në masën 100% pensionin suplementar. Sipas tij, kjo tentativë e organeve të shtetit për të “rrjepur” ish-ushtarakët justifikohet nga fakti se po iu marrim 100 për qind të pensionit, pasi jeni në moshë të tretë dhe nuk kemi garanci se do t’i shlyeni. “Në bazë të vendimit të gjykatave administrative të gjithë ushtarakët që kanë pasur dosjen në Gjykatën e Lartë duhet të kthejnë paratë që kanë fituar me të drejtë. Më specifikisht bëhet fjalë për mbi 1 mijë ushtarakë që kanë fituar gjyqet lidhur me pensionet e parakohshme ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore me vendime të formës së prerë e më tej ISSH ka apeluar në Gjykatën e Lartë. Me daljen e vendimit të Zaganjorit, të vitit 2016, ushtarakët që i kapi ky vendim janë të detyruar të kthejnë paratë. ISSH bën sërish shkelje pasi nuk zbaton vendimin sipas ligjit, që të mbajë deri në 20% të pensionit suplementar, por i mbajnë ushtarakut në masën 100% pensionin suplementar, duke shkelur rëndë ligjin. Kemi kërkuar që të verifikohen këto shkelje të ligjit, por deri më tani nuk është vënë dorë. Pra, ne jemi në një situatë shumë të vështirë, pasi po trajtohemi si plaçkë”, deklaroi ai.

Çështja drejt Strasburgut

Por për ish-ushtarakët vendimi i Gjykatës së Lartë për të rikthyer paratë e marra nga pensionet është arbitrar. Gjatë reagimit të tij për gazetën, kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri zbuloi edhe rrugët që do të ndiqen nga komuniteti i ushtarakëve, ndonëse shtoi se momentalisht kjo çështje ka ngecur, pasi në fillim do të ezaurohen në gjykatat vendase. Sipas tij, zgjidhja e parë është përballja individuale e çdo ushtaraku në gjyq, më konkretisht në Gjykatën e Strasburgut, në mënyrë që kjo e fundit t’iu japë të drejtë atyre, duke rrëzuar kësisoj vendimin e Gjykatës së Lartë. “Kalvari për ish-ushtarakët vijon ende, pasi asnjë nga problemet që ne kemi ngritur nuk ka marrë zgjidhje. Ne kemi paralajmëruar që do t’i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut dhe sapo të ezaurohen në gjykatat e Shqipërisë, do t’i drejtohemi Strasburgut, ku gjithsecili që preket nga vendimi i Gjykatës së Lartë do të bëjë padi individuale. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Por momentalisht procesi ka ngecur, kjo edhe për faktin se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon”, nënvizoi kreu i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, Thoma Konduri.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here