“Ndryshimi ndodhi”, Albin Kurti jep mesazhin e parë si kryeministër i Kosovës dhe bën premtimin e madh: Punët e vështira që na presin më shtojnë vullnetin!

0
226

Teksa tashmë kanë dalë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve dhe është zyrtare se Albin Kurti është kryeministri i ri i Kosovës, ka ardhur edhe fjala e tij e parë si kryeministër.

Mesazhi i Kurtit:

Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!

Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here