SHBA largon trupat nga veriu i Sirisë për të lejuar ofensivën e Turqisë, Trump paralajmëron Erdoganin

0
273

Në një ndryshim të papritur të linjës për konfliktin në Siri, SHBA ka nisur dje largimin e trupave nga veriu i vendit për t’i lënë vend ofensivës së gjerë ushtarake të Turqisë për të spastruar zonën nga të gjitha grupet militante. Por presidenti Donald Trump kërcënoi se do të “shkatërrojë totalisht ekonominë e Turqisë” nëse ushtria turke shkel kushtet e marrëveshjes. Trump nuk tha cilat ishin kushtet e tij, por tashmë është e qartë se ka braktisur grupet militante kurde YPG me të cilat kishte bashkëpunuar në luftën kundër ISIS. Në SHBA lëvizja e Trup u kritikua dhe nga disa prej mbështetësve të tij të vjetër që e quajtën “dritëshkurtër dhe të papërgjegjshme”. Trump tha se ai dhe Turqia “e dinë mirë” ku ndodhen vijat e kuqe. “Siç e kam deklaruar dhe më parë, nëse Turqia bën diçka që unë e konsideroj të tepruar, do të shkatërroj totalisht ekonominë e Turqisë”, tha Trump në një koment.

Koha t’u ikim luftërave pa fund

Trump justifikoi veprimin e tij të fundit me ndalimin nga një luftë që sipas tij nuk sillte më përfitime për SHBA. “Ka ardhur koha që ne të dalim nga luftërat qesharake dhe pa fund, shumë prej të cilave janë fisnore, ndërkohë që ka ardhur koha të kthejmë ushtarët tanë në shtëpi”, tha presidenti Donald Trump, në një mesazh, pas vendimit amerikan për t’u tërhequr nga kufiri mes Sirisë dhe Turqisë. “Ne do të luftojmë vetëm atje ku do të kemi avantazhe dhe do të luftojmë vetëm për të fituar. Turqia, Evropa, Siria, Irani, Iraku, Rusia dhe kurdët duhet të zgjidhin situatën dhe të vendosin se çfarë do të bëjnë me luftëtarët e ISIS-it të kapur në rajonet e tyre. SHBA do të qëndronte në Siri për 30 ditë, por kjo ka ndodhur edhe vite më parë. Ne kemi qëndruar aty dhe kemi qenë të përfshirë në një luftë të ashpër. Me ardhjen time në Uashington, Shteti Islamik ishte i shtrirë në të gjithë rajonin. Ne kemi mundur menjëherë 100% të kalifatit ISIS”, deklaroi Trump. Por vendimi ka bërë që të rritet frika në rajon për një përplasje mes ushtrisë turke dhe forcave kurde, tani që SHBA nuk do të shërbejë më si ndërmjetës mes dy palëve. Trupat amerikanë nisën tërheqjen që të hënën në mëngjes, duke lënë pikat kyçe në qytezat Ras al-Ayn dhe Tal Abyad në kufi. Zëdhënësi i forcave Demokratike Siriane akuzoi amerikanët se me largimin e tyre po lejonin që rajoni të shndërrohej në një zonë lufte.

Kritika në SHBA

Vendimi i Trump për tërheqjen solli kritika të shumta në Uashington, duke përfshirë dhe aleatët e tij si senator Lindsey Graham, senator Marco Rubio dhe ish-ambasadorja në OKB Nikki Haley. “Ky vendim impulsiv i presidentit mund të zhbëjë gjithçka kemi arritur në rajon dhe të sjellë kaosin. Irani do ta pëlqejë shumë këtë. Sikur të isha një luftëtar i ISIS do të pëlqeja një mundësi të re për lulëzim”, tha Graham në një intervistë. Vendimi për lejimin e ofensivës ushtarake turke është të paktën hera e dytë që Trump përmend tërheqjen ushtarake nga rajoni. Prej vitit të kaluar Trump ka propozuar largimin e të gjitha trupave amerikane nga Siria me argumentimin e suksesit të betejës kundër ISIS, por më vonë ai vendosi të ruante prezencën ushtarake atje pas protestave nga stabilimenti në Uashington. Mes kritikave ishte dhe ajo e Ruben Gallego, demokratit nga Arizona që ka shërbyer si marins në luftën e Irakut. “Duke lejuar avancimin e Turqisë në veri të Sirisë ne po kryejmë një nga lëvizjet me destabilizuese në Lindjen e Mesme. Forcat kurde nuk do të kenë më kurrë besim të Amerika, ata do të kërkojnë aleanca të reja apo pavarësi për të mbrojtur veten”, tha ai.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here