Shfaqja “Doktor Shuster”, në skenën e teatrit të Manastirit

0
24

Në teatrin e Manastirit ( Bitola), Maqedonia e Veriut, teatri i Korçës shfaq këtë mbrëmje veprën teatrore “Doktor Shuster” me autor Dushan Kovaçeviç dhe regji nga Qëndrim Rijani. Drejtoresha e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, Zamira Kita, e vlerëson këtë bashkëpunim mes institucioneve. “Një bashkëpunim i suksesshëm, që sapo ka filluar”, shprehet ajo për këtë shfaqje. Në veprën e autorit Dushan Kovaçeviç janë në role aktorë si Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jupi, Gloria Nura, Arben Malësia, Nikola Stefanov. Më herët në skenën teatrore, komedia e zezë është mirëpritur nga publiku në qytetin e Korçës, ku veç aktorëve të njohur të teatrit në role regjisori Qëndrim Rijani solli para publikut dhe emra të rinj. Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviç, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin. Në komedinë e zezë me regji nga Qëndrim Rijani, gjithçka rrotullohet rreth karrocave invalidësh, të cilat metaforikisht trajtojnë handikapin e shoqërisë sonë mbi të vërtetat tronditëse si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla, vëlla-vëlla. Komedia e zezë “Doktor Shuster” përmban brenda saj gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi “karrocë” vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe keqardhja është ajo gjë për të cilën ata kanë sa më pak nevojë. Vepra trajton fatit e dy njerëzve, motër e vëlla, të cilët në vitet e tranzicionit nuk kanë mundur të ushtrojnë profesionet e tyre, motra si pianiste, kurse vëllai si doktor. Të veçuar këta njerëz janë përfaqësues të një kategorie morali që nuk ekziston më, po aq edhe tipa që mbështesin një mentalitet të ri. Qëndrim Rijani ka shfaqje në teatro të ndryshëm. Në aktivitetin e tij përmendim shfaqjet si “Ne vijmë për Ajër” (Skot O’Mor), “Kapitulli i Dytë” (Neil Simon), “Gjymtimi” (Martin Mcdonagh), “Doktor Shuster” (Dushan Kovacevic), “Art” (Yasmina Reza), “Gënjeshtër Pas Gënjeshtre” (Anthony Nelson), “Ushtria e Ui Tomasit” (Martin Mcdonagh), “Shtëpia e Bernarda Albës” (Federico Garcia Lorca), “Darka e Thërrimeve” (Refet Abazi), “39 Hapat” (Alfred Hitchcock), “Gratë” (Robert Thomas), “Roberto Xuko” (Bernard Marie Kolltez), “Në Det” (Slaëomir Mrozhek), ” Jashtë bie borë” ( Vincenzo Salemme), me të cilat ka qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme. Me aktivitetin tij në teatër si regjisor Qëndrim Rijani numëron shtatë çmime, përfshirë çmimet si “Regjisori i vitit” në Maqedoni dhe “Regjia e vitit” në Shqipëri.

Leave a Reply