Ilir Meta në panik nga shkarkimi, i cilëson të çmendur komisionerët e Venecias, në sulm ndaj reformës në drejtësi

0
344

Tek sa na ndajnë tri ditë nga vendimi final i Komisionit të Venecias, presidenti Ilir Meta ka shtuar dozën e sulmeve ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ka shprehur hapur frikën nga shkarkimi. Në një bashkëbisedim me studentët, Meta nuk ka folur aspak në favor të Shqipërisë që është duke pritur një vendim për hapjen e negociatave, duke sulmuar reformën në drejtësi që është një prej kushteve që ka vendosur BE. Duke folur me këto tone Meta ka disfavorizuar vendin, pasi i ka lënë shkas vendeve anëtare të Bashkimit Europian të mendojnë se në Shqipëri ka ende kaos politik, ndërkohë që shumë vende anëtare të BE kanë dalë në mbrojtje të Shqipërisë. Ndërkohë që qeveria ka nisur lobimet për të kthyer pro hajes së negociatave edhe vendet dyshuese, Meta ka ndezur një dritë të kuqe ditën e djeshme me deklaratat e tij.

Frika nga shkarkimi

Tek sa komentoi opinionin e Komisionit të Venecias, presidenti Meta shprehu edhe njëherë se i trembet shkarkimit, duke sulmuar komisionerët e Venecias të cilët i cilësoi të çmendur. Meta sqaroi edhe njëherë se ishte i detyruar që të shtynte zgjedhjet për shumë arsye, e ndër të tjera tha se situata nuk ishte aspak normale, pasi kishte protesta e antiprotesta e mund të rrezikohej edhe gjak-derdhja. “e të thotë dikush se cilin nen ka shkelur presidenti. Unë nuk ndaloj as Komisionin e Venecias, as Kushtetuesen dhe as OKB-në që të çmendet, por të jeni të sigurt se jam i gatshëm kurdoherë që të kontrollohem në çdo raport mjekësor dhe çdo kontrolli tjetër nëse mendoni se përdor ndonjë doping apo tjetër gjë”, tha Meta. Ai hodhi dhe një sërë sulmesh sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit, ku vendosi theksin edhe tek Gjykata Kushtetuese. “Tjetër është si mund të ketë zgjedhje me një palë. Këto vetëm zgjedhje nuk ishin, por ishin dëm i jashtëzakonshëm për demokracinë dhe për funksionimin e shtetit ligjor. Ju e dini sa probleme ka pasur, çështjet e Dibrës, të Shijakut, etj. Zgjedhjet e njëanshme nuk kanë asnjë perspektivë. Zgjedhjet ishin antikushtetuese dhe të paligjshme për arsye se asnjë gjykatë në Shqipëri nuk e ka rrëzuar dekretin e presidentit. Së dyti Gjykata Kushtetuese mund të japë 100 vlerësime, por nuk mund të japë legjitimitet atij vendimi. Kushtetuesja mund të përcaktojë ose orientojë për të ardhmen ose si është bërë shkelja, por nuk ka vendime ekzekutive”, tha presidenti.

Meta sulmon reformën në drejtësi

Reforma në drejtësi është një nga kushtet që ka vendosur Bashkimi Europian që deri më tani ka qenë prioritet e qeverisë shqiptare. Ndërkohë dje Meta e ka sulmuar këtë reformë.

Kjo është një temë shumë e rëndësishme por është bërë pak e lodhshme se ka shumë vite që është folur me shumë pasion dhe shohim që rezultatet s’janë ato që duhet të ishin. Nuk ka vendosur para një kontroll të fortë, unë s’kam qenë skeptik kam qenë kritik, sepse kjo është një reformë që u bë me konsensus dhe kur ka ardhur zbatimi u be në mënyrë të njëanshme, unë kam bërë përpjekje që kjo mos  të ndodh kështu sepse e di çfarë do të thotë ta politizosh, aq me tepër ta përdoresh për presion ndaj kundërshtareve. Rasti me shqetësues është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ky është term që nuk ekziston në kushtetutë, kuptohet që ky është një proçes që s’duhet të kishte ecur kështu”, ka deklaruar Meta. 

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here