Prapaskenat, Basha drejt dialogut me Ramën pas shkarkimit dhe arrestimit të Ilir Metës, synohet të mbahen 2 palë zgjedhje

0
388

Shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra pritet që të zhbllokojë ngërçin politik në vend. Prej gati 8 muajsh vendi është mbërthyer nga një krizë e thellë politike, pasi opozita vendosi të digjte mandatet dhe të bojkotonte zgjedhjet vendore. Por gazeta ka mësuar nga burime shumë të sigurta, si në selinë blu dhe në atë rozë, se palët do shkojnë drejt konsensusit, por vetëm pasi të ketë marrë fund çështja e presidentit. Mazhoranca ka nisur procedurat e shkarkimit të Ilir Metës dhe PD është distancuar tërësisht nga ky proces. Sipas burimeve, Basha është duke pritur vendin final të mazhorancës dhe pastaj të ulet në tryezë me Ramën, në mënyrë që të mos ndikojë në këtë proces. Pra, nëse Rama-Basha ulen në këtë moment, kjo mund të ndikojë dhe në shkarkimin e Metës. Por lideri i PD ka vendosur të mos ngatërrohet në këtë pjesë dhe pritet që PS dhe PD të nisin bisedimet vetëm pasi Meta të jetë shkarkuar, ndërkohë zërat që qarkullojnë në korridoret politike flasin se Meta pas shkarkimit rrezikon të shkojë për ndjekje penale. Kjo do të thotë se dialogu do nisë pas shkarkimit dhe hetimit të tij. Por çfarë realisht po ndodh në prapaskenë? Sipas burimeve, Rama dhe Basha kanë nisur të lëvizin pasi e kanë kuptuar se nga kjo situatë asnjë nuk del i fituar dhe e vetmja zgjidhje është konsensusi. Qëllimi i Bashës është që të bihet dakord që të shkohet në zgjedhje të parakohshme si parlamentare ashtu dhe vendore. Ndërkohë që PS shpreson që duke u bazuar te Komisioni i Venecias, të shmangë zgjedhjet për pushtetin vendor dhe të shkojë vetëm në të përgjithshme. Megjithatë këto do jenë tema të diskutimit dhe në fund mbetet të shihet se çfarë do të vendosin palët.

Lëvizjet e Bashës

Presidenti Ilir Meta ka sulmuar shumë fort kohët e fundit si kryeministrin Edi Rama ashtu dhe kreun e PD, Lulzim Basha. Madje ka hedhur akuza se e gjitha ishte skenar i tyre. Ndërkohë në prapaskenë flitet se PD i bëri puç LSI, duke e detyruar të dalë nga Parlamenti, ndërkohë dhe Meta ra brenda duke shkelur Kushtetutën. Por Basha tani po mendon për rrugëzgjidhjen dhe sytë janë në Uashington. Lideri i PD pritet që brenda pak ditësh të udhëtojë në SHBA me shpresën se do gjejë mbështetje në Uashington për situatën e krijuar. Gojët e liga flasin se shkarkimi i Metës është skenar ndërkombëtar dhe jo paqëllim presidenti i sulmon sa herë i jepet rasti. Basha do mundohet të marrë bekimin e amerikanëve që pas shkarkimit të Metës të gjendet konsensusi që vendi të shkojë në zgjedhje dhe kriza të marrë fund një herë e mirë. Kohët e fundit marrëdhëniet e Metës dhe Bashës janë tensionuar shumë. Presidenti e priti disa herë në takime Bashën dhe madje ka ushtruar presion që të ketë protesta të fuqishme, por lideri i PD i ka refuzuar. Nga ana tjetër, Meta akuzoi PD për djegie të Parlamentit dhe po ashtu ka deklaruar se dhe Basha kërkonte konflikt me Ramën, duke e bërë fajtor sa kryeministrin. Ndërkohë, Basha nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në mbështetje të Metës sa i takon raporti të Venecias, gjë që tregon ftohjen mes tyre. Por e sigurt është se pas shkarkimit dhe hetimit, apo arrestimit të Metës, situata do ndryshojë. Burime shumë të sigurta nga të dyja kampet i thanë gazetës se palët do nisin menjëherë dialogun pas shkarkimit të presidentit dhe sinjalet janë se do shkohet në zgjedhje të parakohshme. Mbetet të shihet dhe roli i ndërkombëtarëve në këtë mes, të cilëve u është sosur durimi me politikën shqiptare e veçanërisht me presidentin. Ky i fundit është braktisur si nga BE ashtu dhe nga SHBA dhe këto janë sinjale se Meta mund të përfundojë jashtë politike dhe me akuza penale.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here