Të inkriminuarit “kapin” administratën, 70 emra preken nga ligji i ri i dekriminalizimit, Kuvendi kritika DAP për shkarkimet e padrejta

0
24

Përveç këshillave bashkiak dhe bashkive, personat me rekorde kriminale mbajnë poste të larta edhe në administratën publike. Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu ka raportuar dje në Nënkomisionin e Administratës Publike për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit. Koçiu ka deklaruar në nënkomision se 70 punonjës janë larguar nga puna në administratë, si pasojë e prekjes nga ligji i dekriminalizimit. Nënkomisioni i Administratës Publike e vendosi theksin tek heqja e padrejtë nga puna e nëpunësve, të cilët fitojnë më pas gjyqet duke i shkaktuar faturë buxhetit të shtetit. DAP nuk ka ende një shifër konkrete se sa punonjës kanë fituar gjyqin aktualisht dhe presin që të rikthehen në punë apo të marrin dëmshpërblim për heqjen nga puna padrejtësisht. Kështu, kryetari i komisionit kritikoi drejtoreshën e DAP në lidhje me këtë problematikë. “Duhet të kemi një database konkret, në mënyrë që të dimë që ky shtet paguan kot kaq nëpunës dhe si do gjejmë mekanizmat për t’i rregulluar ato, sepse unë e di që ka vështirësi lidhur me hapësirën që ka administrata dhe dëshirën e nëpunësit për tu kthyer edhe në nj vend që mund të mos ekzistojë sot”, u shpreh Alket Hyseni. Tek sa i ktheu përgjigje akuzave të ardhura nga Kuvendi, drejtoresha e DAP raportoi për numrin e punonjësve që janë shkarkuar. “Referuar edhe diapozitivit të vendimit të gjykatës duke e transferuar edhe në një pozicion të barasvlershëm edhe në rastet kur është e pamundur, pra për shkak të kësaj që thash, ndryshimit ë kritereve apo të sublimimit të vendit të punës për ta transferuar diku tjetër. Nga ana tjetër na hynë pëlqimi i nëpunësit i cili ka interesin e vetë, pse jo le ta pranojmë për të mos e zbatuar atë vendim sepse e di që në fund të ditës do vazhdoj të marrë pagën”, u shpreh Koçiu.

Vendet vakante në administratë

Ndërkohë që, në administratë ka më shumë se 600 vende vakante pune. Ka problem në plotësimin e numrit të këtyre vendeve vakante, pasi shumë prej atyre që aplikojnë për këto vende pune, nuk kanë arsimin e kërkuar, kryesisht kandidatët kanë përfunduar studimet në degët e inxhinierisë dhe shkencave ekzakte. “Nëse do më pyesësh sot se sa vende vakante ka në administratën publike, përsëri do të të jap një shifër 600. Për pozicione pune të cilat kërkojnë një profil të caktuar apo edukim të caktuar, siç janë inxhinier ndërtimi, arkitekt, inxhinier të informacionit të teknologjisë, edhe shkenca ekzakte kryesisht, janë profesione për të cilat ne marrim pak ose aspak kandidat. Po të njëjtin fenomen vumë re në fakt edhe me nismën e studentëve ekselentë”, u shpreh drejtoresha e DAP. Një tjetër rëndësi gjatë mbledhjes iu dha edhe punësimit të ekselentëve në administratë. “Studentët ekselentë të punësuar nëpërmjet kësaj nisme do të jenë pjesë për një vit pranë administratave shtetërorë, dhe më të dalluarit do të mund të vijojnë të punojnë edhe më gjatë”, sqaroi drejtoresha Koçiu. Në fillim të mbledhjes së nënkomisionit drejtoresha e DAP bëri një raportim mbi angazhimet e DAP lidhur me rekomandimet e Kuvendit si edhe sfidat që ka hasur institucioni. Koçiu vendosi theksin tek reforma në administratën publike, duke e cilësuar këtë reformë si prioritet të qeverisë kur vjen puna tek diskutimet për rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian. “Fokusi kryesor i DAP ka qenë monitorimi me garanci të plotë sa i përket implementimit të këtij legjislacioni një të gjithë institucionet e administratës shtetërore pjesë e shërbimit civil. Çdo nëpunës i administratës publike ka dosjen e tij ku dokumentohet çdo punë që ai ka kryer gjatë kohës që ka shërbyer si nëpunës i administratës shtetërorë. Disa nga arritjet kryesore të vitit 208 janë, është shënuar arritje në planin e aktiviteteve të strategjisë për vitin 2018-2020”, tha drejtoresha sa ai përket raportit të punës së DAP.

Arbjona ÇIBUKU

Leave a Reply