Hajdarmataj ka udhëhequr dosje të bujshme dhe një sërë çështjesh të nxehta/ Çfarë thuhet për pasurinë, kontrollin e figurës dhe aftësitë profesionale

0
280

Ish-drejtuesi i Prokurorisë për Krimet e Rënda Besim Hajdarmataj ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për t’u përballur me vettingun. Hajdarmataj është paraqitur personalisht pa përfaqësimin nga një avokat.

Vetingu për prokurorin Hajdarmataj po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Suela Zhegu.

Gazetarja Klodiana Lala që po ndjek seancën dëgjimore në KPK raportoi për “BalkanWeb” se sipas raportit të ILDKPI subjekti ka bërë deklarim të sakte, nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk është në situatën e konfliktit të interesit. Hajdarmataj ka deklaruar dy depozita bankare ku si burim i krijimit janë kursimet nga paga nga 1997 deri në 2016. KPK tha se deklarimi përputhet me të dhënat e bankës dhe se subjekti ka pasur mundësi financiare për të akumuluar këtë shumë.

Po kështu nga kontrolli i pasurisë ka rezultuar se prokurori Hajdarmataj ka marrë dhuratë nga vëllai 6 mijë euro dhe 4 mijë paund të konfirmuara nga banka. Subjekti paraqiti dokumentet që provojnë se vëllai kishte mundësi t’ia bënte dhuratë.

Tabela financiare është pozitive përgjatë viteve deri në 2016. Ndërkohë për kontrollin e figurës, DSIK ka deklaruar se subjekti është i përshtatshëm për të vijuar detyrën. Prokuroria ka dërguar raport për aftësitë profesionale të Hajdarmataj, ku thuhet se ka hetuar 40 procedime, nuk ka pasur masa disiplinore dhe as nuk ka të dhëna që cenojnë figurën.

Nuk rezulton të ketë foto, vëzhgime apo kontakte telefonike me persona të papërshtatshëm. Ka aftësi për të drejtuar hetimin dhe është vlerësuar shumë mirë. Ka aftësi të mira drejtuese dhe respekton parashikimet ligjore dhe nënligjore si dhe është eficent dhe efektiv.

Ndaj subjektit ka pasur 11 ankesa dhe janë shqyrtuar 3 denoncime online. Komisioni ka vërejtur se këto fakte apo rrethana nuk përbëjnë provë. Në muajin prill u paraqitën tre denoncime dhe për këtë shkak u rihap hetimi. Denoncimet se Hajdarmataj ka kontakte të papërshtatshme nuk rezultuan të bazuara.

Besim Hajdarmataj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë 20 viteve, ai ka mbajtur poste drejtuese në Prokurorinë e Tropojës dhe të Kurbinit. Në maj 2015, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe një vit më vonë mori drejtimin e kësaj prokurorie.

Me ardhjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Hajdarmataj u largua fillimisht nga posti i drejtuesit të Krimeve të Rënda dhe në shtator 2018 u komandua në Prokurorinë e Pogradecit. Ai e konsideroi transferimin të paligjshëm dhe me vendim të Gjykatës Administrative dhe më pas të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u rikthye sërish si prokuror i Krimeve të Rënda.

Hajdarmataj ka udhëhequr një sërë çështjesh të nxehta, mes tyre atë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ishte Hajdarmataj, prokurori që firmosi kërkesën për heqjen e mandatit për Tahirin.

Mes çështjeve të nxehta të hetuara prej tij, ishte dhe ajo e italianit Guido Guidi, i cili u rrëzua me avionin e tij në zonën e Ishmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here