Forcohet ndjeshëm euroja, ja sa këmbehet në tregun e valutës

0
37

Monedha e përbashkët është forcuar ndjeshëm në tregun e brendshëm gjatë tre javëve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 123.5 lekë, duke u rritur me 0.15 lekë në krahasim me një ditë më parë. Ky është niveli më i lartë që prej muajit prill të këtij viti. Në gusht, monedha e përbashkët zbriti në 120.75 lekë, duke iu afruar nivelit më të ulët historik, ndërsa më pas tendenca ka qenë drejt rritjes. Kursi mesatar i euros për periudhën 3 janar-16 tetor 2019 është 123 lekë, nga 127.6 lekë, që ishte mesatarja e vitit të kaluar.Që prej datës 1 tetor, euro është forcuar me 1.36 lekë, duke shënuar vetëm dy ditë me rënie të lehtë.  Euro është forcuar dhe në tregjet ndërkombëtare, duke u këmbyer me 1.1 dollarë, pasi kishte zbritur në 1.06 dollarë në fillim të tetorit. Euro dhe paundi britanik u forcuan sot ndaj dollarit, pas një raporti që zyrtarët ishin afër një marrëveshjeje për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Ndryshe nga tregjet europiane, në rritje në tregun e brendshëm ka qenë edhe dollari, që dje u ngjit në 112 lekë, duke iu afruar nivelit më të lartë që nga dhjetorit 2017, që u arrit në ditët e para të tetorit.

Leave a Reply