“Jul Cezari”, rikthehet dy mbrëmje në sheshin e teatrit

0
363

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” rikthen për publikun veprën teatrore “Jul Cezari”. Teatri bën me dije se vepra e Shekspirit do të jetë dy net të tjera në sheshin e teatrit. “Jul Cezari”, shfaqja që ka impresionuar publikun në çdo vënie të saj vjen në datat 21 dhe 22 tetor. “Jul Cezari” nga Shekspiri erdhi muaj më parë premierë në Tiranë nën drejtimin e regjisorit të njohur kroat Ivica Buljan. Produksion i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, tragjedinë e Shekspirit regjisori e solli jo në skenë, por në sheshin e teatrit. Kjo shfaqje vjen nën interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli. Kostumografe Sofi Kara; skenograf Beqo Nanaj; kompozitor Gerti Druga; regji ndriçimi Sonda Trinajst; as/regjisor Mateo Dervishaj. Tragjedia e “Jul Cezarit” është njëra prej disa veprave dramatike të Shekspirit, që bazohen në ngjarje të vërteta nga historia romake dhe që përfshijnë edhe Koriolanus dhe Antoni dhe Kleopatra. Edhe pse vepra titullohet “Jul Cezari”, Bruti flet në më shumë se katër herë po aq rreshta sa karakteri kryesor dhe drama psikologjike qëndrore e pjesës fokusohet mbi betejën e Brutit mes kërkesave konfliktuale të nderit, patriotizmit dhe miqësisë. Sipas regjisorit kjo pjesë është aktuale jo vetëm për Shqipërinë, por dhe në botë. ““Jul Cezari” është i pari thrriller politik në çdo kohë, madje kjo vepër është aktuale jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë”, ka pohuar më herët regjisori. Shfaqjet e regjisorit Ivica Buljan kanë qenë pjesëmarrëse në më shumë se 30 vende të ndryshme. Duke u mbështetur në filozofinë krijuese të Antonin Artaud, teatri i tij fokusohet në protagonizmin e aktorit dhe ruan linjat klasike të teatrit. Buljan ka drejtuar Teatrin Kombëtar Kroat në Split, gjatë viteve 1998-2002. Në vitin 1999, gjatë kohës që ai e drejtonte, Teatri Kombëtar Kroat u bashkua me Konventën e Teatrit Evropian. Buljan është gjithashtu bashkëthemelues dhe drejtor artistik i Teatrit Mini në Lubjanë, si dhe themelues dhe drejtor i Teatrit të Ri në Zagreb.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here