“Kam cënuar unitetin Enver-Mehmet”, letra e plotë e Beqir Ballukut nga burgu: Petriti me Hiton përqëndruan armët në Shtatmadhori…

0
362

Memorie.al publikon letrën e plotë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku për Enver Hoxhën, e datës 18 Shtator të vitit 1974, e dërguar nga Roskoveci ku vuante fillimisht internimin, i akuzuar si “armik i partisë dhe popullit”. Në plot 24 faqe të asaj letre, Balluku i shpjegon gjithcka ish-shefit të tij, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri në atë ditë që ndodhej aty, larg shokeve dhe i ndarë nga familja. Dhe me damkën e madhe si i “pushkatuar politikisht” ai i lutet Enverit dhe Partisë, që të vënë dorën në zëmër dhe t’i japin edhe njëherë mundësinë që për ato pak vjet të jetës që i kanë mbetur, t’i kalojë pranë shoqërisë socialiste, duke dhënë kontributin e tij qoftë dhe në duke punuar në punë krahu…?!

Emri i tij u bë i njohur që në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në gjysmën e parë të viteve ‘40-të kur ai drejtonte njësitet guerile të qytetit të Tiranës, dhe më pas si Komandant i Brigadës së II-të Sulmuese. Pas mbarimit të Luftës, Balluku do të emërohej në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-major, duke zëvëndësuar aty gjeneral Spiro Moisiun. Që nga ajo periudhë kohë e deri në vitin 1974 që zgjati karriera e tij, Beqir Balluku do të kryente një sërë funksionesh të larta partiake e shtetërore, si: zv-Kryeministër, Ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike, dhe deputet në të gjitha legjislaturat.

Ai deri në fundin e viteve ‘60-të konsiderohej si një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, gjë e cila do të provokonte një zili dhe xhelozi nga ana e Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili në një të ardhme e shikonte veten de jure dhe de facto si pasardhësi i Enver Hoxhës. Balluku do të fitonte shumë kredenciale në sytë e Hoxhës për gjestin e tij të besnikërisë ndaj udhëheqjes më të lartë të PPSH-së, kur këta të fundit ndodheshin në një situatë politike mjaft delikate në Konferencën e 81 Partive në Moskë, ku vetë ai (Balluku) do t’i deklaronte ambasadorit sovjetik në Tiranë, Shikin, se; “Nëse udhëheqjes shqiptare do t’i ndodhte ndonjë e papritur e pakëndshme në Moskë, të gjithë shtetasit rusë që ndodheshin në Shqipëri do të ekzekutoheshin pa paralajmërim”. Kështu edhe për këtë fakt, pas prishjes me sovjetikët, figura e Ballukut do të njihte një rritje të menjëhershme të karrierës politike, deri në momentin më kritik të vetë institucionit që Balluku përfaqësonte, heqjen e gradave të ushtrisë shqiptare në vitin 1967. Çarja e parë e heshtur ndërmjet Ballukut dhe Hoxhës do të ndodhte pikërisht në vitin 1967, kur i plotëfuqishmi i Ministrisë së Punëve të Brendshëm për ushtrinë, gjeneral-major Halim Xhelo, do të shkruante letrën e famshme anonime në drejtim të Enver Hoxhës, në të cilën protestohej për zhveshjen e ushtrisë shqiptare nga sistemi i gradave.

Pas zbulimit të letrës dhe burgosjes së Xhelos, Hoxha dhe veçanërisht Shehu, do ta shihnin me një dyshim të madh autorësinë e vërtetë të saj, pasi ajo ishte shkruar nën hundën e Ballukut dhe në mos fshihej ai pas Xhelos, në rastin më të keq duhet të kishte pasur dijeni për ekzistencën e saj. Të paktën kështu aludohej në atë kohë nëpër korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, nga fundi i viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ‘70-të do të nisnin edhe përplasjet e shpeshta ndërmjet Beqir Ballukut dhe zëvëndësit të tij, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dumes, gjë e cila do të provokonte disa mbledhje të Byrosë Politike, posaçërisht për këtë sherr midis dy figurave ushtarake më të larta. Aq të shpeshta do të ishin debatet e sherret Balluku-Dume, saqë vetë Beqiri do t’i kërkonte Enver Hoxhës në disa mbledhje të jashtëzakonshme byroje dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Gjë e cila asokohe u refuzua në mënyrë kategorike nga Hoxha.

Një tjetër moment kulminant për Ballukun që dukej se “po e mbushte kupën”, çka hodhi shumë dyshime por për dyshen Hoxha-Shehu, do të ishte dhe vizita e Beqir Ballukut në krye të një delegacioni të përbërë nga eksponentë të lartë të Ushtrisë në Kinë në vitin 1972. Gjatë kësaj vizite kryeministri kinez Çu En Lai, do ta refuzonte kërkesën zyrtare të shtetit shqiptar për dërgimin e materialeve të teknologjisë ushtarake, duke ua thënë qartë: “Sado armë t’ju japim ne, Shqipëria nuk e përballon dot një sulm ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Mënyra më e mirë e juaja për të rezistuar, është tërheqja nëpër male, apo siç quhet në gjuhën ushtarake, “Teoria e rrëshqitjes”. Ju duhet të krijoni një bosht ballkanik (Tiranë-Beograd-Bukuresht) anti-Moskë”.

Thuhet se menjëherë shifrantët e Sigurimit nxitojnë t’ja raportojnë këtë fakt udhëheqjes në Shqipëri, duke shtuar këtu edhe një tjetër dëshmi misterioze që Beqir Balluku, natën fshehurazi kishte shkuar në ambasadën sovjetike në Pekin dhe kishte negociuar me ambasadorin dhe shefin e KGB-së për Kinën rreth një Grushti Shteti të mundshëm të tij në Tiranë në bashkëpunim me 25.000 spetnazë (desantë) sovjetikë (akuzë kjo e Sigurimit të Shtetit). Si të mos mjaftonin gjithë këto gjëra, Beqir Balluku disa orë para mbërritjes së tij në Pekin, do të takonte në mënyrë incognito në aeroportin e Bukurështit, Ministrin e Mbrojtjes së Rumanisë, Gjeneralin, Ioan Ionita. Detajet e këtij takimi, kanë mbetur gjithashtu të mjegullta.

Ndërkaq vetëm dy vjet pas vizitës së tij në Pekin, do të fillonte edhe aktivi i Ushtrisë famëkeq i gushtit të vitit 1974, i zhvilluar në vilën e Mbretit Zog në Durrës. Në atë mbledhje që zgjati dy ditë me radhë, sipas porosisë së Enverit, Mehmeti dhe Hysniu ftuan të gjithë vartësit e Ballukut që të flisnin dhe diskutonin për “veprimtarinë armiqësore të tij”. Do të ishite pikërisht përmbajtja e “Tezave të Zeza”, ajo që do t’i kushtonte shumë shtrenjtë tre figurave më kryesore të ushtrisë shqiptare; Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos.

Vlen për t’u përmendur fakti, se ditën e shpalljes së Ballukut si “tradhëtar dhe puçist”, ish-shefi i Sigurimit të Ushtrisë, Halim Xhelo, që vuante dënimin në burgun e Burrelit, do të vdiste në mënyrë misterioze në qelinë e tij. (thuhej se ate ditë, ai humbi shpresën se mund të lirohej ndonjë ditë me ndihën e Ballukut). Ndërsa Pleniumi i gushti 1974, do të ishte gjyqi paralajmërues për kastën e ushtarakëve, të cilët vetëm disa ditë më pas do të ndjenin mbi vete të gjithë tërbimin e Hoxhës, tërbim i cili do t’i çonte drejt vdekjes të tre një vit më pas. Por para se të ndodhte kjo, Beqir Balluku u internua në qytezën e vogël të Roskovecit, prej nga ku, më datën 17 Shtator të vitit 1974, do t’i niste një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku në 24 faqe të saj ai do t’i shpjegonte gjithçka shefit të tij që i kishte shërbyer me devotëshmëri që nga koha e Luftës. Dhe atë letër të mbyllur në një zarf, Balluku ia besoi vetëm djalit të madh të tij, Çlirimit, i cili e solli dorazi në zyrën e letra-ankesave në Komitetin Qëndror të PPSH-së.

Ç’farë shkruhet në atë letër, si e konsideroi Enveri autokritikën e Beqirit, dhe shënimet e Mehmet Shehut mbi të, bëhet e ditur nëpërmjet këtyre dokumenteve që Memorie.al po publikon të plotë ekskluzivisht në këtë dossier të rradhës, ndërsa ajo që vlen të theksohet është fakti se vetë Beqiri nuk e mësoi kurrë të vërtetën nëse ajo letër mbërriti në duart e Emver Hoxhës…?! Dhe kështu ai duhet të ketë ikur nga kjo jetë me pengun e madh që shefi i tij nuk e kishte marrë letrën, përndryshe do t’i kishte kursyer të paktën jetën. Kjo gjë konfirmohet edhe nga vetë familjarët e Ballukut, të cilat gjithashtu deri para zbulimit të letrës, kanë pasur dhe mbrojtur të njëjtin version si babai i tyre.

vijon nga numri i kaluar

Letra e Ballukut për Enver Hoxhën
Dhe me në fund nuk vura në dijeni shokët për fillimin e mbarimin e keq të këtij materiali? Që unë merrem me përpunimin e një materiali që u ngritën në Pleniumin e 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Hysni ka qenë në dijeni si nga unë ashtu dhe nga aparati ushtarak i Komitetit Qëndror, sigurisht në formë të përgjithëshme pa asnjë hollësi, ndërsa shoku Enver dhe Mehmet nuk janë në dijeni, sepse kam menduar që t’ua dorëzoj materialin e gatshëm, si bëra me materialin e katërt, kjo është një shkelje e rëndë e rregullave, që në rastin konkret unë duhet ta shtroja problemin me shokët dhe të merrja autorizim për ta përpunuar apo jo një material të tillë. Po të kisha ndjekur këtë rrugë, sigurisht që edhe konceptet e mija të gabuara, do të ishin kapur dhe goditur me kohë. Pse nuk e kam bërë unë këtë gjë?

Unë këtë gjë nuk e kam bërë pse kam menduar se po përpunoj një temë i bazuar në mësimet e vijën e Partisë dhe se ky material mbasi të mbarohej, do t’u paraqitej për aprovim shokëve. Ndërsa për anullimin e tij nuk është në dijeni asnjë nga shokët, nga ana ime, pa folur për Petritin e Hiton. Pse ka ndodhur kjo? Kjo ka ndodhur se unë këtë çështje e kam parë dhe trajtuar me sy liberali, pa u shqetësuar që të rrëmoj e shof shkaqet që më kanë çuar në këto gabime dhe faje.

Dua të theksoj se problemi kryesor që kam synuar të trajtoj në këtë material ka qenë formacioni i luftimit, d.m.th. zënia e mbulimit të brezit të parë në drejtime kryesore me forca art-mitraliere me fuqi të madhe zjarri dhe të siguruara me fortifikim të gjerë xhenier, ndërsa për aktivitetin në formën që përshkruhet nuk kam qenë entuziast dhe atë unë do e korigjoja në materialin e përfunduar. Në materialin e katërt këtyre problemeve unë u dhashë rrugën që dihet, d.m.th. forcat art-mitraliere janë në skalon të parë dhe forcat e këmbsorisë në skalon të dytë dhe aktiviteti është në përputhje me tezat. Pavarësisht nga ky qëndrim i imi ndaj këtyre materialeve që vijnë në kundërshtim me tezat dhe qëndrim i padenjë si komunist para Partisë, është qëndrim negativ dhe liberal ndaj gabimeve dhe fajeve të cilat duhet t’i zbulosh me kurajo dhe t’i dënosh e luftosh me rreptësi.

Tamam se nuk i kam pastruar pluhrat ditë për ditë ashtu siç na mëson Partia e shoku Enver, në kokën time kanë zënë vënd koncepte dhe botëkuptime të huaja borgjeze-revizioniste që më çuan në këto gabime dhe faje. Pra mbyllja e materialit të tretë në mnyër të thjeshtë pa ndërrmarë një sulm të rreptë politik-ideologjik për çrrënjosjen e këtyre koncepteve, nuk e eksludon faktin që në të ardhmen këto materiale të përdoreshin nga unë spese plagës nuk i ishte vënë gishti, bota ime e brendëshme kishte mbetur e sëmurë.

Balluku: Kam cënuar unitetin Enver-Mehmet
Shtrimi dhe trajtimi i problemeve në materialin e tretë duke mbështetur për argumentim bazimin e tezave të tij të shtrembëra në mënyrë të gabuar e tendencioze, në fjalimin e shokut Enver, që theksoi se ai është një fjalim që afirmon dhe pasuron më tej tezat, në mënyrë të paevitueshme të çon në kundërvënie dhe në cënim të unitetit në byro në mes shokut Enver dhe Mehmet, këtë gjë nuk e reflekton vetëm libri i citateve që ka shoqëruar materialin, por tërë fryma e tij, që duke përdorur në mënyrë të gabuar shokun Enver dhe Mehmet, materiali të merrte peshë dhe të bazohej.

Pavarësisht se në mëterialin e tretë ka probleme dhe inisiativa që nuk janë të mijat, kjo nuk ka rëndësi, përgjegjës për të gjitha jam unë. Përpunimi i këtij materiali është përshkuar nga fillimi e deri në fund nga metoda të huaja dhe të gabuara si mënjanimi i shokëve dhe aparateve, kjo ka ndodhur për dy arsye: së pari, unë duke u prirë nga mendimi se Petriti e përqafon me vështirësi të renë, kam qenë i bindur se ai nuk kontribuon në hartimin e këtij materiali që unë e konsideroja të drejtë, përveç kësaj unë kam menduar se përgjithësisht Petriti, nuk u futet studimit të problemeve thellë e me durim, dhe së dyti, faktori që përbën thelbin e problemit qëndron në faktin se unë duke qenë nën ndikimin e koncepteve të huaja më ka pushtuar ndjenja e mëndjemadhësisë dhe arrivizmit, se ja këtë përpunim shkencor, këtë temë siç e quaja unë, për zbërthimin e pasurimin e temave, grupi i punës e bëri nën drejtimin tim.

Por nga sa vura në dukje me lart, po theksoj prapë se edhe vetem revizionimi i parimeve të temës së parë të mbrojtjes, të çon në mënyrë të paevitueshme në prekjen e tërë tezave dhe në krijimin e një platforme të re, në rastin konkret antimarksiste dhe me pasoja të rënda për mbrojtjen tonë, llogjika e shëndoshë këtu të çon.

Në proçesin e këtij materiali sedra ime është prekur veçanërisht nga kundërshtimet e shokëve, por këtë çështje unë e kam quajtur normale dhe se në proçesin e punës diferencat do të rrafshohen.

Arsyeja e parë e largimit tim nga posti i ministrit është bërë për shkak të marrëdhënieve jo të mira në mes meje dhe Petritit, sidomos pas vitit 1966 kur çështja jonë u shtrua dy herë rradhazi në Byronë Politike për fajin tim. Mua kurdoherë më ka shqetësuar fakti se Petriti ndaj meje nuk është kurdoherë i hapët, ai akumulon dhe se qënien time përgjegjës mbi veten e tij nuk e tres, ai kërkon kompetenca të pakufizuara, d.m.th, fushëveprimi të gjërë, jashtë caqeve dhe kufijve të Shtatmadhorisë, unë disa herë i kam thënë që është mirë që t’i të propozosh që të dalësh zëvëndësministër i lirë dhe të marrësh nën drejtim sektorë që kam unë në lidhje, ai këtë nuk e ka pranuar. Por pas shtrimit të çështjes në Byro, shoku Petrit dhe Hito, përpunuan skemën e re, ku të gjitha armët dhe shërbimet u përqëndruan në Shtatmadhori. Unë atëhere me këtë skemë u shfaqa dakort. Kuptohet se në bazë të kësaj i gjithë aktiviteti i ministrisë u përqëndrua në Shtatmadhori dhe se edhe organet e tjera që mbetën jashtë saj, tërë aktivitetin e tyre duhet ta ndërtonin në harmoni me këtë organ, mbi bazën e kësaj metode pune, unë si ministër shpesh për shumë probleme të rëndësishme, isha i painformuar dhe në pamundësi që të ndihmoj e ngrej probleme para shokëve, këtë vërejtje ja kam bërë shpesh Petritit që ta vëj në vënd në kontaktet me mua./Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here