Zbardhet dosja e anëtarit të Metës në Kushtetuese, borxhi 21 mijë euro ndaj një personi me precedent penal rrezikon të fundosë Besnik Muçin

0
33

Besnik Muçi, anëtar i propozuar nga presidenti Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese, duket se do të ketë një betejë të vështirë për t’i shpëtuar shkarkimit. Gazeta e tha një ditë më parë se zgjedhja e tij mund të jetë strategjia e Metës, për të bllokuar funksionimin e Kushtetueses, dhe shkarkimin e tij. Sot, gazeta tregon më tepër detaje, mbi provat dhe argumentet e Komisionerit Publik, kundër Besnik Muçit. Elementi më sensitiv, është borxhi që Muçi i ka një personi të proceduar penalisht. “Komisioneri Publik çmon se ky informacion, në konsideratë të raportit dhe të marrëdhënieve të pranuara edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit, gjatë hetimit administrativ të Komisionit, sikurse dhe nga rrethanat e dala nga vlerësimi i kriterit për kontrollin e pasurisë, ku provohet se subjekti ka pasur marrëdhënie interesi dhe pasuror me personin tjetër të lidhur, që rezulton i proceduar penalisht, shtetasi ***.***, sikurse deklaron dhe në deklaratën veting, detyrim ndaj këtij shtetasi në vlerën 21.000 euro, mund të shërbejë si rrethanë dhe argument se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale, në referim të nenit 37, germa “c”, të ligjit nr. 84/2016”, parashtrohet në argumentet e Komisionerit Publik, të lexuar, para KPA, duke shtuar dhe shtetasin e dytë, që i kishte shitur automjetin që prokurori tha se e “përdorte edhe sot e kësaj dite”.

Problemet me pasurinë
Komisioneri Publik, pas konfirmimit në detyrë të prokurorit Besnik Muçi, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ankimoi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, këtë vendim. Gazeta po jep sot tëplota argumentet e komisionerit. “Nisur nga hetimi dhe vlerësimi që ka kryer Komisioni për të tria kriteret e rivlerësimit, Komisioneri Publik konstaton se, për sa i takon kriterit të pasurisë, referuar kërkesave të nenit D, të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, përfundimet e Komisionit nuk janë në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara”, shkruhet në ankimimin e Komisionerit. Më tej komisioneri vlerëson se subjekti nuk arrin të justifikojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, si dhe gjendet në kushtet e mosdeklarimit të tyre. Komisioneri në ankimim, çmon se konkluzionet përfundimtare të KPK, në lidhje me kriterin e pasurisë, nuk i përgjigjet provave të administruara. Ndryshe nga Komisioni, Komisioneri, lidhur me deklarimin e Muçit, për pasuri në pronësi dhe bashkëpronësi, nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre, si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë. Më tej, lidhur me blerjen e një apartamenti, Komisioneri konstaton se deklarimi për burimin e krijimit të të ardhurave për blerjen e apartamentit, të deklaruar në KPK, janë kursimet e subjektit, ndërsa në deklarimin e tij zyrtar, burim ishin huat nga familjarët e tij. Pas hetimit të thellë të përfundimeve të KPK, lidhur me kursimet, huat, të marra tek babai, xhaxhai, vëllai dhe motra, Komisioneri, arriti në përfundimin se Besnik Muçi, ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, për burimin e krijimit të të ardhurave, për blerjen e apartamentit. Për blerjen e një tjetër apartamenti, me të ardhurat e pagës së bashkëshortes, hua nga vëllezërit e kësaj të fundit dhe kursime të fituara nga puna në kompani që është në pronësi të babait, sipas Komisionerit, nuk gjejnë mbështetje ligjore.

Ornela Çelpica

Leave a Reply