Hetimi i të ngelurve në veting, të rrezikuar edhe 23 emra që dhanë dorëheqjen gjatë rivlerësimit, ja si tentuan t’i shpëtojnë reformës

0
311

Pavarësisht vendimit të negociatave, mazhoranca duket e vendosur që të ndëshkojë prokurorët e ngelur në veting. Deri më tani askujt nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, pasi ata po gëzojnë pasuritë e vëna në mënyrë të paligjshme edhe pse janë shkarkuar nga detyra. Ndërkohë, momentalisht të vetmit që duket se po dalin të larë në këtë mes janë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë dhënë dorëheqjen, duke mos hyrë fare në procesin e vetingut. Por sipas burimeve, mazhoranca po sheh mundësinë që dhe ata të kalojnë për hetim nëse kanë pasuri të pajustifikuar. Sipas statistikave të siguruara nga Komisioni i Helsinkit, deri në korrik të këtij viti janë plot 37 gjyqtarë dhe prokurorë që i janë shmangur procesit, duke mos hyrë në veting, ose kanë dalë në pension. Ndërkaq, rreth dhjetë ditë më parë edhe Astrit Haxhialushi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, ka dhënë dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë për arsye shëndetësore, duke e çuar në plot 38 numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që tentuan t’i shpëtojnë reformës në drejtësi. Haxhialushi më parë ka qenë dhe pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa ishte në fazë vetingu, por ende pa datë seance.

Disa nga gjyqtarët që kanë dhënë dorëheqjen

Interesant është fakti se në totalin prej 38 gjyqtarësh dhe prokurorësh, bie në sy fakti se plot 23 emra kanë dhënë dorëheqjen pasi ka nisur vetingu. Për ta ka marrë vendim Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke ndërprerë procesin e rivlerësimit. Mes 23 emrave të dorëhequrve, bie në sy largimi i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Po ashtu, dorëheqje dha edhe ish-Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha edhe pse ishte njohur me rezultatin e verifikimit të tij nga komisioni i vetingut. Nga ana tjetër, mes gjyqtarëve dhe prokurorëve që ia mbathën nga drejtësia nga frika e vetingut janë Arjana Fullani, anëtare në Gjykatën e Lartë; Aleksandër Muskaj, anëtar i Gjykatës së Lartë; Mirela Fana, anëtare e Gjykatës së Lartë; Evelina Qirjako, anëtare e Gjykatës së Lartë; Ilir Pashaj, gjyqtar Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan dhe Erlindi Basha, vëllai i Lulzim Bashës, ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, etj.

Rreziku nga hetimi

Brenda vitit qeveria do të dalë me një ligj për të ndëshkuar gjyqtarët e prokurorët e ngelur në veting, por edhe ata që nuk kanë hyrë në proces. Por burime nga PS mësuan se kosës pritet të mos i shpëtojnë dhe ata emra që hynë në veting, por u larguan rrugës. Ata i kanë dorëzuar deklarimet dhe ka shumë nga ata që kanë pasuri të pajustifikuar. Kështu ndodhi me Adriatik Llallën, i cili pasi ndërpreu vetingun kaloi për hetim. Sipas të dhënave të siguruara nga KPK, janë në total 23 gjyqtarë, prokurorë dhe këshilltarë që janë dorëhequr dhe për ta është ndërprerë verifikimi. Sipas statistikave, janë dhënë 15 vendime për ndërprerjen e procesit të 10 gjyqtarëve, 4 prokurorëve dhe 1 ish-ndihmës ligjor, ndërkohë janë dhënë 8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë. Pra, në total numri është 23 dhe ata rrezikojnë të kenë fatin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ky i fundit hyri në procesin e vetingut, por u dorëhoq rrugës. Por duke qenë se dosja e tij ishte në tryezën e organeve të vetingut, KPK ja kaloi prokurorisë, e cila po e heton atë për pastrim parash. Për të gjithë ata që gjatë hetimeve Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka gjetur me shkelje në deklarimin e pasurisë, apo kanë shpërdoruar detyrën, dosjet pritet t’i kalojnë SPAK. Qeveria do bëjë ndryshime në ligj, duke detyruar prokurorinë që të nisë hetimet për këdo që ngel. Por sipas informacioneve, është duke u diskutuar mundësia dhe për ata që kanë dhënë dorëheqjen duke ndërprerë në mes vetingun. Të vetmit që mund t’ia hedhin paq janë ata që u dorëhoqën pa nisur ende vetingu, pasi ligji u jepte atyre 3 muaj kohë./ Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here