Nis plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi betohet para presidentit Meta: Do i qëndroj besnik Kushtetutës

0
325

 Dy ditë më parë Presidenti i Republikës, Ilir Meta vendosi që të dekretojë emërimin e prokurorit Besnik Muçi, si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, megjithëse ky i fundit nuk ka kaluar ende në filtrat e vetingut. Ndërkohë ditën e djeshme në Presidencë, Besnik Muçi, bëri betimin para presidentit Ilir Meta. Në fund pas betimit Presidenti Meta i ka dorëzuar Muçit edhe dekretin e emërimit si anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Prokurori Besnik Muçi u betua duke u zotuar se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës. “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”, tha prokurori Besnik Muçi. Por ndonëse ish-prokurori i Krimeve të Rënda nuk e ka kaluar akoma vetingun, sërish presidenti Ilir Meta vendosi dy ditë më parë ta emërojë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Pas listës me katër emra të dërguar nga KED, presidenti zgjodhi emrin e Besnik Muçit, i cili është i treti në renditje, me 81.928 pikë. Sipër tij, ishin Elsa Toska dhe Arta Vorpsi. Por, presidenti vendosi të zgjedhë emrin e Muçit, duke bërë që të rriten dyshimet se në mes kanë hyrë pazaret dhe skenarët për të sabotuar Kushtetuesen. Besnik Muçi kaloi shkallën e parë të vetingut, por Komisioneri Publik kërkoi shkarkimin e tij në Apel. Dje ishte seanca e radhës e tij dhe rreziku për ta shkarkuar është rritur. Atëherë pse Meta zgjodhi Muçin? Dyshimet janë se e gjitha ka qenë një plan i mirëmenduar i presidentit. Pas dërgimit të listave nga KED, Presidenca duhet të zgjedhë dy emra dhe Kuvendi dy të tjera, ndërkohë që Kushtetuesja ka vetëm Vitore Tushën në detyrë. Por nëse shkarkohet Besnik Muçi, mbeten vetëm 4 dhe Kushtetuesja nuk funksionon sepse nuk ka kuorumin e nevojshëm prej 5 anëtarësh. Por kjo i shërben vetëm Metës, pasi Kushtetuesja është gjykata që do vulosë shkarkimin e tij. Me këtë strategji kreu i shtetit e zgjat edhe për disa javë bllokimin saj. Ndërkohë që nuk është çudi që të ketë dhe pazare në mes. Muçi është ndër më të dobëtit e listës dhe fakti që u zgjodh nga Meta tregon se po luhet lojë e pisët, që presidenti të sabotojë Kushtetuesen ose të sigurojë vota (nëse Muçi i mbijeton shkarkimit) për të rrëzuar draftin e Kuvendit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here