Prokuroria nis hetimet ndaj Agim Kajmakut për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, kryebashkiaku rrezikon dënim me burg

0
282

Prokuroria ka nisur dje hetimet për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmakun, i cili u denoncua nga Partia Demokratike. Nisja e hetimeve ka filluar një ditë pasi Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi KQZ-së heqjen e mandatit për kryebashkiakun e Vorës, pasi ky i fundit ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Agim Kajmaku rrezikon të dënohet me burg, pasi sipas ligjit, zyrtarët të cilët gënjejnë në formularin e dekriminalizimit, rrezikojnë të dënohen deri në 4 vite heqje lirie. Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Agim Kajmaku u zgjodh kryetar bashkie në Vorë, ndërkohë që Partia Demokratike e denoncoi publikisht se ka qenë i arrestuar në Greqi, ku ka përdorur emrin Jorgo Toto dhe këtë fakt nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Më pas PD bëri publik një dokument të Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës të datës 19 qershor 2003, ku thuhej se ai ishte arrestuar në janar 2003 në Janinë, për blerje të fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara. Pas denoncimeve që PD bëri gjatë asaj kohe, Kajmaku në deklaratat e tij për mediat, apo edhe në qëndrime që ka mbajtur në rrjetet sociale, i mohoi akuzat e hedhura nga PD, teksa deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me personin Jorgo Toto, që PD pretendonte se ishin i njëjti person. Kryebashkiaku i Vorës i mohoi akuzat deri në momentin kur u publikua një vendim i Gjykatës së Janinës, ku pushonte çështjen ndaj tij, duke e shpallur atë të pafajshëm. Ndërkohë vetëm dy ditë më parë, Kajmaku i ka dërguar një dokument kryeprokurores Arta Marku dhe KQZ, teksa ka sjellë dy argumente se përse nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit arrestimin e tij në Greqi, ndërkohë që më herët e kishte refuzuar totalisht këtë fakt. Argumenti i parë që Kajmaku ka dhënë është se nuk ka qenë në dijeni se ishte në hetim, sepse i gjithë procesi hetimor është kryer në mungesë. Së dyti ai thotë se nuk e dinte se mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit, ia ndalonte atij që të kandidonte dhe më pas të zgjidhjet si kryebashkiak. Për një gjë të tillë, Kajmaku shprehet se e ka mësuar nëpërmjet mediave. Pas kërkesës që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e mandatit, do të jetë KQZ e cila do të vendosë për kryetarin e Bashkisë së Vorës, ndërkohë që pritet që ai të dënohet me burg sipas ligjit që u citua edhe më sipër.

Reagon PD

Ndërkohë Partia Demokratike ka reaguar sërish dje për rastin e Agim Kajmakut. Ka qenë Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata, i cili në një deklaratë për mediat, ka hedhur akuza mbi kryeministrin Edi Rama sa i përket rastit të kryebashkiakut të Vorës. “Agim Kajmaku gënjeu qytetarët shqiptarë dhe votuesit e Bashkisë së Vorës për të kaluarën e tij kriminale në Greqi. E vërteta, siç u provua nga prokuroria, është se Edi Rama kandidoi në 30 Qershor një të arratisur nga drejtësia, me urdhër kërkimi në Greqi dhe në Europë deri 6 javë më parë. Përpjekja e Edi Ramës për të mbrojtur një zyrtar të lartë që ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe ligjin nuk ka mbaruar. Agim Kajmaku qëndron në detyrë dhe akoma nuk është shkarkuar nga Edi Rama, njeriu që i dha mbështetje politike, duke e kandiduar për Bashkinë e Vorës”, ka deklaruar Gjata. Ai vijoi më tej duke thënë se sjellja e Edi Ramës në mbrojtje të kriminelëve që përfshiu në politikë, nuk është e papritur. Sipas tij, kryeministri Edi Rama e ka lidhur fatin e tij politik me krimin, prandaj nuk zbaton Kushtetutën për të shkarkuar kryetarin e tij të Bashkisë Vorë, të kapur në shkelje të rëndë të ligjit të dekriminalizimit. “Bashkëqeverisja e tij me krimin dhe me të fortët që blejnë vota për të, pa u dënuar nga drejtësia, është arsyeja pse dera e Europës vazhdon të qëndrojë e mbyllur për Shqipërinë”, tha dje Gjata.

Arbjona ÇIBUKU

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here