Pensioni suplementar për naftëtarët, minatorët dhe metalurgët, nis verifikimi për vjetërsinë e punës, transferohet fondi prej 1.4 mld lekë

0
355

Naftëtarët, minatorët dhe metalurgët në vend pritet që shumë shpejt të trajtohen me pension suplementar. Me 23 maj Kuvendi miratoi ligjin për trajtimin e financiar suplementar, të punonjësve që kanë punuar në miniera, metalurgji, në sektorin e naftës dhe gazit. Por, vetëm tani ka nisur procesi i zbatimit. Sipas të dhënave të gazetës, nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore është mbyllur procesi i aplikimeve edhe janë plot 17 mijë persona që kërkojnë trajtim suplementar. Momentalisht po bëhet verifikimi i të gjitha dosjeve për të parë nëse aplikantët plotësojnë vjetërsinë e punës të parashikuar në ligj. Sipas Informacionit, qeveria ka transferuar fondin prej 1.4 miliardë lekëve që do u shpërndahet pensionistëve. Në projektligj përcaktohen disa kushte që duhet të plotësojë aplikantët për t’u trajtuar me pension suplementar. Përcaktimi i përfitimeve nga punonjësit bëhet sipas kategorisë së parë apo të dytë. “Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, në profesione e punë të përcaktuara në pasqyrën nr. 1, “Punë, që hyjnë në kategorinë e parë”, krerët IV, pikat 2 e 3, dhe XI, të vendimit nr. 526, datë 20.12.1958, të Këshillit të Ministrave, “Për ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni”, të ndryshuar, përcaktohet: mosha: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç”, thuhet në projektligj. Ndërsa, për sa i përket periudhës së përgjithshme të sigurimit: për burrat është përcaktuar 30 vjet; për gratë 25 vjet; vjetërsia në punë: për burrat 15 vjet; për gratë 12,5 vjet. Ndërsa për punonjësit e kategorisë së dytë mosha e përcaktuar është; për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç. Periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet dhe vjetërsia në punë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet

Shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe invalidit

Më tej në projektligj përcaktohet edhe shtesë në pension pleqërie për punonjësit e industrisë së natës dhe gazit. Sipas projektligjit do të përfitojnë financim shtesë të gjithë ata të cilët kanë përfituar pension pleqërie, përfitojnë shtesë pensioni për çdo vit periudhe sigurimi në profesion, sipas përcaktimeve në nenin 3, si më poshtë: punonjësit e nëntokës, 1 % të masës së pensionit të pleqërisë; punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6 % të masës së pensionit të pleqërisë. Përveç shtesave mbi pensionin e pleqërisë, projektligji përcakton shtesë edhe për ata të cilët marrin pension invalidi, që janë dëmtuar gjatë kohës në punë. Përfituesit, sipas përcaktimeve në këtë ligj kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension në masën 1 % për çdo vit vjetërsie pune; për personat që përfitojnë pension invaliditeti nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, të cilët kanë vjetërsi në profesion më pak se periudha e përcaktuar në neni 5, të këtij ligji, për efekt të shtesës mbi pension, vjetërsia në profesion, llogaritet respektivisht, për ish-minatorët 12,5 vjet, për naftëtarët dhe metalurgët 20 vjeç./Esmeralda Hida

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here