Siguria kalon rezolutën për ndikimin rus, Balla rrëzon pretendimet e Bushatit, ish ministri amendime për ndryshimin e draftit

0
378

Pas Komisionit të Jashtëm edhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi dje në parim projektrezolutën për ndikimin rus, e njohur ndryshe si projektrezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”. Për të prezantuar projektrezolutën e propozuar nga Partia Socialiste, i pranishëm në Komisionin e Sigurisë ishte kreu i grupit socialist, Taulant Balla. Ky i fundit gjatë fjalës së tij theksoi se projektrezoluta nuk bie ndesh me strategjitë kombëtare të sigurisë dhe politikës së jashtme. Sipas Ballës, projektrezoluta për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale është në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian. “Të gjithë biem dakord që orientimi i Shqipërisë është ai pro europian, pro NATO dhe ndërmarrja e iniciativave të tilla nuk bie ndesh me strategjitë tona kombëtare të sigurisë dhe politikës së jashtme, por është një rikonfirmim i qasjes 100 % në të njëjtën linjë të politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të BE-së. Për shkak të kësaj qasje komisionerja për Politikën e Jashtme e BE, Mogherini ka shprehur gjithmonë që Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e ka këtë njëjësim të politikës së jashtme 100 % me atë të BE”, deklaroi ai.

Balla rrëzon pretendimet e Bushatit

Duke komentuar propozimet e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për rezolutën e paraqitur nga Partia Socialiste për ndikimin rus, deputeti Balla theksoi se propozimet e ish-ministrit Bushati nuk cenojnë thelbin e rezolutës, ndërsa i kërkoi Komisionit të Sigurisë të bëjë amendime për të luftuar krimin kibernetik, duke u konsultuar me Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas Ballës, drafti i propozuar nuk është një draft i mbyllur, por sipas tij, është një iniciativë e hapur për t’u pasuruar me të gjitha komentet dhe me të gjitha propozimet nga të gjithë deputetët e të gjitha grupimeve politike dhe grupeve parlamentare. “Jam njohur sot me propozimet e ish-ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, të cilat nuk e cenojnë thelbin e projektrezolutës së propozuar nga grupi i Partisë Socialiste për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare. Drafti i propozuar prej meje nuk është një draft i mbyllur, është një iniciativë e hapur për t’u pasuruar me të gjitha komentet dhe me të gjitha propozimet nga të gjithë deputetët e të gjitha grupimeve politike dhe grupeve parlamentare. Kështu që, do t’i lutesha komisionit tuaj që në bazë të informacionit që ju keni edhe nga organet e tjera ligjzbatuese, si SHISH apo agjencitë për të luftuar krimin kibernetik, ta pasuroni dhe ju rezolutën me detyra të detajuara për institucionet që lidhen me këtë pjesë”, nënvizoi ai. Pra, kjo deklaratë e Ballës rrëzoi pretendimet e ish-ministrit Bushati, i cili dy ditë më parë ngriti alarmin se rezoluta për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare është e turbull dhe se për të ka ikur koha, kur i shpallej luftë shteteve.

Ish-ministri amendime për ndryshimin e draftit

Por interesant ishte fakti se pavarësisht kundërshtive që i bëri projektrezolutës dy ditë më parë, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka bërë dje një lëvizje surprizë, duke depozituar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare amendimet e tij. Këto amendime bazohen në tre shtylla kryesore si legjislacioni dhe institucionet vendase, angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe media e edukimi. Nga ana tjetër, Bushati propozon edhe ndryshimin e titullit të projektrezolutës duke propozuar që të bëhet si projektrezolutë për parandalimin e ndërhyrjeve të huaja të mundshme në proceset zgjedhore dhe dezinformimit si mjet i ushtrimit të influencës në jetën shoqërore. Sipas tij, titulli aktual i projektrezolutës së propozuar nga Partia Socialiste, është marrë nga rezoluta e Parlamentit Europian./Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here