Italianët nxisin tension në portën e Shqipërisë, i vënë Berishës notë më të lartë se Strakoshës

0
269

Disa prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares kuqezi luajnë në kampionatin italian, në Serie A ose në B, por në të dy kategoritë kanë spikatur për qëndrueshmëri në performancë dhe kanë mundur të marrin ftesë nga tekniku Edi Reja. Është fakt i pamohueshëm që trajnerët italianë që drejtojnë skuadrën kombëtare kanë një qasje më dashamirëse ndaj futbollistëve që luajnë në kampionatin italian dhe kjo është e kuptueshme për shkak të taktikës që përdoret dhe përshtatjes së këtyre lojtarëve me skemat e trajnerit, gjë që ka ndodhur me De Biazin, Panuçin por tani së fundmi edhe me Rejën. Ndër lojtarët që kanë spikatur kohët e fundit me performancën e tyre, është padyshim portieri Etrit Berisha. Kështu, portali “TuttoMercattoWeb” ka vendosur në ditën e sotme të bëjë një klasifikim të futbollistëve me mesataren më të lartë të notave në Serinë A. Pjesë e kësaj listë është edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha. Gardiani i kuqezinjve renditet në vendin e 22-të, ndërsa nota mesatare e tij është 6.46. Berisha vendosi të nisë një aventurë të re në këtë sezon teksa u transferua te Spal nga Atalanta, megjithatë edhe siç përshkruan media italiane, 30-vjeçari ka shkëlqyer dhe është treguar monumental me ekipin e ri. “ Humbi duelin me Golinin te Atalanta dhe hoqi dorë nga pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve, për të ristartuar edhe një herë me Spalin. Skuadra është më në vështirësi se kurrë, por kontributi i portierit shqiptar është i jashtëzakonshëm. Tregohet monumental në ndeshjen ndaj Juventusit, ku ia doli të vlerësohej me notën 8”, shkruhej në përshkrimin e sezonit të Berishës deri në këto momente. Kështu, Berisha është një nga lojtarët kryesorë të Spal për objektivin e tyre sezonal, atë të qëndrimit në Serinë A. Kjo performancë e mirë dhe ky vlerësim i lartë janë bërë nxitje për rivalitetin e dy portierëve të Kombëtares në prag të dueleve të radhës së përfaqësueses ndaj Andorrës dhe Francës. Shanset më të mëdha për aktivizim i ka Strakosha, nisur nga fakti se trajneri Reja e sheh në projektin e tij të së ardhmes, pra për eliminatoret e ardhshme, por forma dhe vlerësimi i lartë për Berishën mund të nxisë rivalitet për formacionin titullar dhe është fakt që të dy e meritojnë.

Edhe Marash Kumbulla me notë të lartë

Nuk është vetëm Berisha që ka marrë vlerësim të lartë në analizën e kësaj faqeje, pasi një tjetër futbollist i Kombëtares e ka emrin në listë dhe madje me notë të lartë e të krahasueshme me gardianin kuqezi, por ai është në faqet e para të gazetave italiane si mbrojtës me cilësi të larta dhe që mund të jetë rival i denjë për De Ligt të Juventusit. Kështu, po sipas portalit “TuttoMercattWeb” ka vendosur në ditën e sotme të bëjë një klasifikim të futbollistëve me mesataren më të lartë të notave në Serinë A. Në këtë listë nuk mund të mungonte një nga surprizat e sezonit në Serinë A, si mbrojtësi Marash Kumbulla. Vetëm 19-vjeçar dhe në sezonin debutues në elitën e futbollit italian, Kumbulla ia ka dalë të kthehet në lider të repartit difensiv të Veronës, ashtu siç përshkruan edhe portali nga përtej Adriatikut. Në këtë renditje mbrojtësi kuqezi renditet në vendin e 24, me një mesatare note prej 6.44 për ndeshje. Sakaq, në portalin italian theksohet edhe nuhatje e Shqipërisë për talentin, duke ia rrëmbyer nga duart të kaltërve. “ Lideri defensiv i një prej mbrojtjeve më të mira në Serinë A. Surprizues impakti i tij me kampionatin, duke pasur parasysh rolin e pakët në sezonin e kaluar. Ai ka bindur trajnerin Juriç që në stërvitjet e parasezonit dhe tashmë është shpërblyer. Shqipëria ka nuhatur talentin e Kumbullës dhe ia ka marrë Italisë. Kështu, në 14 tetor bëri edhe debutimin me ngjyrat e Kombëtares”, ishte përshkrimi për sezonin e Kumbullës deri më këto momente. Mbrojtësi ka grumbulluar nëntë paraqitje në Serinë A, duke shënuar edhe një gol. Madje ai përmendet në mediat italiane si lojtar me të ardhme të madhe dhe për të kanë shprehur interesim klubet elitë të futbollit italian si Juventusi, Milani, Lacio e Roma. Por për momentin mbetet futbollist i Veronës.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here