Janar-Tetor 2019, 1.1 milionë vizitorë në monumentet dhe parqet arkeologjike

0
40

Mbi 1 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar monumentet tona të kulturës, sitet arkeologjike, kishat etj, nga janari deri në tetor të këtij viti. Të dhënat janë bërë publike nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, që shprehet se janë më shumë vizitorë se një e njëjta periudhë e një vitit më parë. “Shifër rekord: mbi 1 milion vizitorë. Periudha janar – tetor 2019 numëron 1 milion e 16 mijë vizitorë. 7 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, shprehet ministrja e Kulturës. Sipas ministres Margariti, kjo do të thotë dhe më shumë kujdes ndaj trashëgimisë kulturore. “Kjo do të thotë më shumë shërbime, më shumë kujdes ndaj trashëgimisë dhe më shumë të ardhura për ekonomitë lokale”, vijon ministrja e Kulturës, ndërsa ka publikuar dhe një video me sitet arkeologjike dhe monumentet e kulturës. Në vendin tonë vlerat e monumenteve të kulturës janë njohura. Parqet arkeologjike janë në vëmendjen e turistëve, që nuk mungojnë përgjatë gjithë vitit. Butrinti, Apollonia, Amatia, Bylis, etj, janë të vlerësuar për vlerat, që kanë në trashëgiminë tonë kulturore. Butrinti është shpallur pasuri botërore në UNESCO. Ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar konventës së vitit 1972, “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”. Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i parkut kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. 

Leave a Reply