Shkarkimi i Trump/ Dëshmia e Sondland: Giuliani i vendosi parakushte Ukrainës

0
60

Dje në dëshminë publike në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA, dëshmitari i radhës në procesin e hetimeve për shkarkimin e presidentit të vendit, ka thënë se avokati i Donald Trump, Rudi Giuliani, i ka vënë parakushte shtetit të Ukrainës për të përfituar një ndihmë ushtarake që ishte e miratuar nga Kongresi amerikan. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland është deri tani dëshmitari i profilit më të lartë në proces. Ai tha në dëshminë e tij se Rudy Giuliani i vuri si parakusht Ukrainës hetimin e zgjedhjeve të 2016, të serverit të Partisë Demokrate dhe të kompanisë energjitike “Burisma” ku aderonte Biden. Sondland tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe udhëheqja e lartë e DASH ishin të mirinformuar për kontaktet me Ukrainën deri kur u lëvrua asistenca për Ukrainën në shtator, dhe hodhi poshtë sugjerimet se mund të jetë vepruar në mënyra të parregullta apo jodiplomatike. “Kërkesat e zotit Giuliani ishin një quid pro quo (shkëmbim favoresh kokë për kokë) për të siguruar një takim në Shtëpinë e Bardhë për zotin Zelenskiy. Zoti Giuliani kërkoi që Ukraina të bënte një deklaratë publike ku të njoftonte hetime për zgjedhjet e 2016, për serverin e Partisë Demokrate, dhe për kompaninë ‘Burisma’”, deklaroi zoti Sondland.

I emëruar nga Trump

Dëshmia e Ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondland, u prit me vëmendje maksimale nga ligjvënësit dhe mediat amerikane. Ai është zyrtari i profilit të lartë, biznesmen hotelerie, që i ka dhuruar 1 milionë dollarë komitetit organizator për inaugurimin e Presidentit Trump në 2017. Në mars 2018, Presidenti Trump e emëroi atë ambasador në Bashkimin Evropian. Tashmë, ai e gjen veten në epiqendër të zhvillimeve politike për shkak të angazhimit të tij, nga Brukseli, me çështjet e Ukrainës. “Gordon Sondland, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian do të dëshmojë nëse presidenti Donald Trump u përpoq të kushtëzonte asistencën ushtarake ndaj Ukrainës dhe një takim në Zyrën Ovale me Presidentin e ri të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, me hapjen e hetimeve të motivuara politikisht që Trump besonte se do të ndihmonin fushatën e rizgjedhjes së tij”, tha Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve. Sondland pohoi se në mungesë të materialeve që mund t’i kishte ofruar Departamenti i Shtetit, kujtesa e tij mund të mos ketë qenë aq e saktë gjatë deponimit. Sidoqoftë, ai konfirmoi për ligjvënësit se përfshirja e zotit Giuliani ishte urdhëruar nga Presidenti Trump.

Luanim me kartat që na u dhanë

“Sekretari Perry, ambasadori Volker dhe unë punuam me zotin Rudy Giuliani për çështjet e Ukrainës, bazuar në udhëzimin e drejtpërdrejtë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk kishim dëshirë të punonim me zotin Giuliani. E thënë më thjesht, na duhej të luanim me kartat që na u dhanë”, deklaroi Sondland. Ai shtoi se u kuptua nga të gjithë se nëse do të kishin refuzuar bashkëpunimin me zotin Giuliani, atëherë do të kishin humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të forcuar marrëdhëniet e SHBA me Ukrainën. “Megjithëse nuk ishim dakort me nevojën e përfshirjes së zotit Giuliani, në atë kohë nuk mendonim se përfshirja e tij ishte e papërshtatshme… Nëse do të kisha ditur për gjithë aferat e zotit Giuliani, apo partnerët e tij, një pjesë e të cilëve janë tashmë duke u hetuar penalisht, unë personalisht nuk do të kisha rënë dakord për pjesëmarrjen e tij. Nga sa dinim në atë kohë, ajo çfarë na kërkohej të bënim, nuk dukej se ishte e gabuar”, shtoi zoti Sondland. Një ditë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve u dëgjuan dëshmitë e katër zyrtarëve të lartë, tre prej të cilëve kishin dëgjuar telefonatën e 25 korrikut mes Presidentit Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy, gjatë së cilës i kërkoi hetimin e kandidatit demokrat për president Joe Biden.

Andi Lamko

Leave a Reply