“Kësulkuqja” me aktorët shqiptarë, më e mira në festivalin e Malajzisë

0
60

“Shfaqja më e mirë muzikale me kukulla” është çmimi, që i jepet Teatrit të Kukullave të Tiranës me shfaqjen “Kësulkuqja”, i cili përfaqësoi Shqipërinë në festivalin botëror të kukullave “Rainforest World Puppet Carnival”. Festivali u organizua nga Ministria e Kulturës dhe Sportit në Borneo, Malajzi. Drejtori i teatrit Fatjon Sulstarova shprehet se në këtë festival morën pjesë teatro të rëndësishme nga vende të ndryshme të botës, si Australia, Gjermania, Rusia, Vietnami, Malajzia, Peru, Rumania, Spanja, Kina, Indonezia, Argjentina, Brazil, Meksika, India, Bullgaria dhe teatrot e vendit organizator. Sipas tij, fëmijët ndoqën me shumë kureshtje shfaqjen teatrore “Kësulkuqja”, që u soll në skenë nga tre aktore. “Shumë fëmijë ndoqën me kureshtje të madhe shfaqjen tonë, por ajo që u bëri më shumë përshtypje ishin kukullat e bukura, kostumet dhe muzika tradicionale shqiptare, ku fëmijët pas shfaqjes kërcyen nën ritmet popullore dhe bënë fotografi, si një kujtim i bukur nga Shqipëria”, tregon për pjesëmarrjen në këtë festival drejtori Fatjon Sulstarova. Sipas tij, kjo ishte hera e parë që artistë të teatrit shqiptar morën pjesë në këtë festival. “Kjo është hera e parë që ne marrim pjesë, dhe nga 700 aplikime nga vende të ndryshme të botës, ku u aprovuan 15 trupa artistike u përzgjodh edhe Shqipëria”, tregon më tej Fatjon Sulstarova drejtori i Teatrit të Kukullave. Por kjo pjesëmarrje sipas tij këtë herë në festivalin, që u zhvillua në Malajzi shërbeu dhe për një eksperiencë për artistët nga Shqipëria. “Nuk kthehemi vetëm me një çmim, por me një eksperiencë profesionale, që përfituam çdo ditë duke parë shfaqjet e grupeve pjesëmarrëse, duke diskutuar me aktorë e regjisorë profesionistë për të rejat dhe teknikat e kukullave dhe konceptet e avancuara regjisoriale, në dobi të edukimit të fëmijëve përmes këtij arti shumë të dashur për ta”, shprehet më tej drejtori Fatjon Sulstarova. Shfaqja teatrore “Kësulkuqja” është me regji nga Paulo Comentale nga Italia dhe në skenë ajo interpretohet nga aktoret Jorida Meta, Shegushe Bebeti dhe Ermonela Alikaj. Realizimi i kukullave është nga Lucrezia Tritone.

Leave a Reply