Drama “Zogu i Zi”, këtë mbrëmje në skenën e “ArTurbinës”

0
340

Shfaqja teatrore “Zogu i Zi” këtë mbrëmje vjen për publikun në skenë tek “ArTurbina”. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” shprehet se është një vepër tronditëse, një interpretim drithërues i aktorëve Laura Nezha, Alfred Trebicka dhe Rexhina Ibro. Drama “Zogu i Zi” shkruar nga autori David Harrower është me regji nga Kiço Londo. Një histori e bazuar në një ngjarje të vërtetë të kronikës, vepra me regji nga Kiço Londo është përkthyer nga Danila Nika. Skenograf në vepër është Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, koreograf Graciano Tagani, as/regjisor Marsel Greva. Në materialin e teatrit për veprën “Zogu i Zi” thuhet se është një pjesë e tmerrshme teatrore, thellësisht shqetësuese, emocionalisht e brishtë, që të lë pa frymë dhe të prekur. Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura. “Në thelb vepra teatrore “Zogu i Zi”, fton që shoqëria të dialogojë për sa i përket çështjeve të nxehta, duke përfshirë kufijtë ligjor si dhe pozicionin human në botën moderne”, thuhet për shfaqjen në skenë. 15 vjet pas historisë së dashurisë tragjike në kohë të gabuar të 12 vjeçares Una me 41 vjeçarin Rei, histori e cila ka shkatërruar jetët, Una shfaqet përpara tij. Ajo ka ngrirë në kohë, pa shpresë. Në pamje të parë, duket sikur Una vjen për hakmarrje, për larje hesapesh, por motivet e ardhjes janë më komplekse, sepse marrëdhënia e tyre ka qenë më e komplikuar se marrëdhënia e abuzuesit me viktimën. Ajo, e siguron se e do. Ai, i shtrënguar dhe në ankth, e siguron se nuk ka pasur ndjenja për ndonjë vajzë tjetër aq të re, duke u përpjekur për t’i shpëtuar përmbytjes së një dashurie të çmendur, që te Una ka mbetur e njëjtë. Kujtimet erotike përzihen. Intensiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh. Dy fantazma të së tashmes, të pafajshëm sa dhe fajtorë, dy njerëz që jetuan diçka të mrekullueshme dhe të frikshme njëherësh, që shoqëria dhe ligji i etiketoi abuzuesi dhe viktima. Kjo vepër është në vijim të sezonit artistik, që më pas do të ketë të tjera shfaqje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here