Josif Papagjoni: Teatri s’ka hov cilësor, shfaqjet nuk përcjellin emocion, në skena edhe tekste mediokër

0
388

Në Tiranë janë pak salla teatri dhe shtimi i tyre do të përmirësonte jo pak jetën artistike. Jo pak herë artistë të ndryshëm janë shprehur për shtim të sallave të teatrit, por sipas tyre pak është bërë në këtë drejtim. Kritiku i artit Josif Papagjoni shprehet se sa më shumë salla teatri të ketë, aq më shumë i shërbejnë jetës artistike dhe shoqërisë. Në intervistën për “SOT”, studiuesi Josif Papagjoni tregon se në momentin që hapen teatro privatë ata duhet të ndihmohen nga shteti. Sipas tij, pak salla teatri ndikon dhe në produktet teatrore në jetën artistike. Kritiku Papagjoni shprehet se dhe niveli artistik i shfaqjeve të ndryshme vazhdon me probleme. Sipas tij, teatri nuk ka ritmin që duhet, ndërsa dhe në skena ka raste që shikojmë pjesë me tekste pa vlerë. Për kritikun Josif Papagjoni, hovi cilësor në teatër duket në fillim kur ke dhe produktet teatrore në skena. Problem për kritikun Josif Papagjoni është dhe buxheti i paktë në jetën artistike, ku sipas tij shteti duhet të ketë financime më të mëdha, pasi problemet me buxhetet e pakta prej vitesh nuk mungojnë. Në ditët e fundit të këtij viti, por për kritikun e njohur, duhet të kemi konkurse të dramës shqipe në vend dhe të ketë tjetër trajtim të pagesës së autorëve të veprave shqipe nga institucionet.

 -Ju jeni shprehur herë pas here për jetën artistike në teatro, sa problem kanë qenë buxhetet këtë vit sipas jush?

 Për teatrin në vend duhet të ketë financime gjithnjë dhe më të mëdha nga shteti. Për të krijuar shanse dhe mundësi më të mëdha edhe për të rinjtë, që të realizojnë projektet teatrore në skena. E dyta, duhet të hapen teatro. Të kemi salla të reja teatrore, sepse janë shumë pak sot. Të kemi salla të reja, salla të vogla miniteatro. Para pak ditësh u çel në Tiranë një miniteatër, që mban emrin e aktorit të njohur “Roland Trebicka” dhe kjo është një gjë shumë e mirë për teatrin. Miniteatro të tilla shoqërisë i shërbejnë shumë. Miniteatro të tilla një shoqëri e rregullt duhet të ketë shumë. Por ne nuk kemi teatro privatë në vend dhe që të krijohen duhet të ketë dhe një bazë financimi. Mos ta taksojë atë shteti, por ta ndihmojë.

-Jemi në ditët e fundit të këtij vitit që po mbyllet, ku jeta artistike në teatro ka sjellë shfaqje të ndryshme, vepra shqiptare dhe të huaja. Si kritik i teatrit, me aq sa ju jeni njohur çfarë mund të na thoni për nivelin artistik?

Për mendimin tim të pakta janë shfaqjet teatrore, që mua më lënë mbresa. Më duken shfaqje pa shumë fuqi te publiku, edhe si të nxituara, jo të përpunuara deri thellë. Përshembull nga shfaqjet e vitit që po mbyllet mua më ka pëlqyer shumë në teatër “Kopshti i qershive”, por më ka pëlqyer shumë dhe shfaqja teatrore “Karnavalet e Korçës” me regji nga Altin Basha. Këto mua më janë dukur shfaqje teatrore të nivelit. E përgjithshmja është, që shfaqjet teatrore në vend duhet të rrinë në cilësinë e këtyre dy veprave, që unë përmenda pak më lart. Sigurisht që këto dy shfaqje teatrore që unë përmenda janë nga vlerat kryesore që ka realizuar teatri jonë, por që të gjithë duhet të synojmë që të realizojmë vlera në teatër, që të mundet dhe të pëlqehen për një publik pak elitar. Niveli artistik në fushën e teatrit është njësoj, nuk ka zhvillim. Teatri vazhdon në atë ritëm dhe nuk ka ndonjë ndryshim, ndonjë hov cilësor ose diçka që duket. Hovi duket më së pari kur ti ke produktin teatror. Por sa është produkti teatror tek ne? Dy teatro kemi gjithsej te “ArTurbina”. Në Tiranë ne nuk kemi teatro si fillim, vetëm dy salla teatri janë. Ishin dhe ato 2 a 3 salla te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te Kiço Londo që jepte shfaqje, por me zhvendosjen e teatrit te “ArTurbina” u mbyllën dhe ato.

-Po flisni për nivelin në jetën artistike, por si e shikoni Ministrinë e Kulturës me financimet e projekteve?

Ministria e Kulturës ato para që ka sigurisht duhet ti menaxhojë mirë, që të shkojnë në vepra të mira teatrore. Shpesh kemi vepra të rrëmbyera, tekste nëpër internet dhe kam parë dhe disa që nuk ia vlejnë. Kur ne mund të vëmë në skenën teatrore vepra që janë të njohura. Repertori botëror është i pafundëm dhe ka autorë që janë të jashtëzakonshëm, që mund të japin kënaqësi të thella. Por marrin disa pjesë kot, marrin tekste jo shumë të mirë, tekste mediokër, pa ndonjë vlerë dhe të papërshtatshëm me psikologjinë e shqiptarëve dhe të konflikteve me problemet që ka populli jonë. Ka raste që nuk janë tekste teatrore, që nxisin emocionet te publiku jonë. Kjo sepse ne kemi një publik tjetër, nuk jemi për probleme të tilla në teatër.

-Po flisni për tekstet teatrore, për ju sa është bërë për dramën shqipe në skenat tona?

Unë nuk kam dëgjuar, që të vihen vepra. Vetëm Stefan Çapaliku diku vë ndonjë tekst të dramës shqipe në skenë, por dhe kjo pa ndonjë impakt të madh. Ajo që duhet, është që Ministria e Kulturës duhet ta ketë në vëmendje një konkurs vjetor të dramës shqipe, si ka përshembull Teatri Kombëtar i Prishtinës. Teatri Kombëtar ta ketë këtë si konkurs të përvitshëm që të financohet nga Ministria e Kulturës, duke i dhënë një buxhet të caktuar Teatri Kombëtar, dhe sikundër është rregulli vepra fituese e këtij konkursi të vihet në skenën teatrore. Të konkurrojnë dramaturgët, por më pas dhe regjisorët për tekstin, sepse kështu duke e mbajtur të ndezur mund të ekzistojë kjo dramë shqipe, që unë po e shoh që më shumë po mbytet. Nuk ka më autorë të dramës shqipe, nuk shkruajnë më.

-Sipas jush çfarë ka ndikuar në këtë situatë për dramën shqipe me autorët?

Janë disa probleme, e para që paguhet shumë pak teksti i dramës shqipe. Autori bën goxha punë, por ai paguhet shumë pak. Si të shkruajë një autor një vepër me 50 mijë lekë të reja apo 100 mijë lekë të reja? Autori i dramës shqipe sot duhet paguar, por kjo nuk ndodh. E dyta, teksti i shkruar duhet të vihet në skenën teatrore. Nëse nuk vendoset ndonjë rregull, që të vihet në skenë teksti i dramës shqipe në teatër, një në vit për shembull, do vazhdojmë me probleme. Nëse ne kemi 7-8 teatro, vihen në skenat tona 7-8 vepra të dramës shqipe. Por tek ne nuk imponohet, kjo dhe ia lënë në dorë regjisorit. E treta, duhet të bëhen konkurse të dramës shqipe, që mungojnë tek ne. Dhe mungon edhe festivali i dramës shqipe. Duhet të kemi një festival teatror vetëm me dramën shqipe. Në Dibër ka një festival me teatrin, në Gjilan kemi një festival të veprave shqipe, por në Shqipëri nuk ka një festival, që të jetë vetëm drama shqipe.

-Jo vetëm në fushën e teatrit, por dhe për kinematografinë shqiptare ju keni shkruar për filmat. Si e shikoni zhvillimin e saj?

Filmat jepen në momentin e promovimit dhe nuk kanë më jetë në publik. Filmi shqiptar sot ka problemin, sepse nuk bën jetë në publik. Filmi shqiptar është i izoluar dhe bën jetë vetëm nëpër festivale. E çojnë regjisorët filmin aty ku gjejnë ndonjë mundësi nëpër festivale të ndryshme dhe filmi më pas mbyllet, përderisa nuk është pronë e televizioneve dhe e mediumeve të hapura, çdo shikojë publiku i kinemave që këtu s’ka kinema. Filmat e fundit, si ai me regji të Besnik Bishës apo Bujar Alimanit mbeten të izoluar edhe pse janë filma të mirë.

-Sipas jush, sa bëhet për albanologjinë shqiptare në vend?

Unë isha së fundmi në një konferencë të albanologjisë. Mendoj se ka botime dhe janë shtuar. Por albanologjia problemin më të madh të saj, e ka që duhet të imponohet në katedrat më të mëdha në botë për çështjet e saj. Pra të marrin pjesë studiuesit në simpoziume dhe botime në gjuhë të huaj. Por nuk marrin dot pjesë, sepse këto kërkojnë shpenzime, fonde, por fonde nuk ka. Albanologjia janë studime, që i lexon një elitë e vogël njerëzish dhe një pjesë e studentëve. Pjesa dërrmuese e këtyre botimeve janë të destinuara për bibliotekë dhe shteti është i detyruar, që të financojë albanologjinë. Nëse nuk financon studimet, ato nuk botohen. Studiuesit tanë duhet të botojnë në gjuhë të huaj, botimet më të mira të përkthehen, ose substrate të tyre. Përkthimet në gjuhë të huaj e bëjnë të njohur, sepse këto libra mund të shkojnë në bibliotekat e botës. Dietat janë problem për ekspeditat e studiuesve. Nëse flasim për gjuhësinë, që një studiues do të shkojë të punojë me leksikun, ose antropologjia që duhet të shkojë në zona të ndryshme, si do të shkojnë nëse nuk kanë mundësi me buxhete.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here