Ilir Meta propozon Bahri Shaqirin për kryetar të KLSH, PS paralajmëron votë kundër: Është kandidaturë politike

0
345

Presidenti Ilir Meta ka propozuar ditën e djeshme Bahri Shaqirin për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Propozimi i Shaqirit nga ana e kreut të shtetit ka ngjallur debate. Kjo për faktin se zoti Shaqiri është këshilltar i presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare dhe anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke dëshmuar qartë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta me kandidaturën e propozuar prej tij rrezikon kapjen e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Megjithatë, në njoftimin e Presidencës bëhet me dije se kandidatura e propozuar prej Metës për në krye të KLSH plotëson kriteret e kërkuara për këtë post. “Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11063, datë 19.01.2019, ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që z. Bahri Shaqiri të zgjidhet në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Zoti Bahri Shaqiri plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë në drejtimin e institucioneve. Gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore si: Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe aktualisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, z. Bahri Shaqiri ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional në ushtrimin me sukses të detyrave kaq të rëndësishme”, thuhet në njoftim. Më tej, në njoftimin e Presidencës vihet në dukje se kandidatura e Shaqirit është e denjë për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi sipas Metës, ai ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar. “Zoti Shaqiri gjatë ushtrimit të detyrave të mësipërme, ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar. Zoti Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të këtij institucioni të pavarur”, thuhet në njoftimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

PS paralajmëron votë kundër

Kandidatura e Bahri Shaqirit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit e propozuar nga presidenti Ilir Meta është parë nga socialistët me skepticizëm, të cilët kanë paralajmëruar votën kundër. Ka qenë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ai i cili përmes një statusi në rrjetet sociale e ka cilësuar kandidaturën e Shaqirit si një kandidaturë politike, pasi ai është anëtar i LSI. Sipas Manjës, Shaqiri nuk plotëson kriterin që kërkon posti për KLSH siç është fusha e ekonomisë. “Kandidatura e Bahri Shaqirit për Kontrollin e Lartë të Shtetit, përveçse është një kandidaturë me profil të lartë politik pasi vjen nga forumet drejtuese të LSI, ka edhe një problem serioz kushtetues. Kushtetuta e përcakton qartë si kriter të kandidatit për drejtimin e KLSH, ekspertizën në fushën e financave. Mbase zoti Shaqiri ka punuar me financat e LSI dhe këtë mund të këtë pasur parasysh kryetari në distancë i LSI, Presidenti Meta, kur e ka propozuar. Por e para s’ka të dhëna publike për këtë aktivitet dhe e dyta edhe sikur të na i vinte në dispozicion këto të dhëna LSI-ja, prapëseprapë kjo nuk do ta zgjidhte problemin kushtetues të kandidaturës. Madje mund ta komplikonte atë. Natyrisht ky është thjesht një opinion personal juridik, po për sa i takon Komisionit të Ligjeve e shoh realisht të pamundur dritën jeshile për zotin Shaqiri”, deklaroi Ulsi Manja.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here