Ylber Gjini: Vëmendja ndaj artistëve është zero, me pagat që kanë mezi shtyjnë muajin me bukë

0
443

Artistët po përballen me probleme të ndryshme në aktivitetin artistik dhe sipas tyre politikat që janë ndjekur deri tani në art dhe kulturë nuk kanë qenë ato që duhet për trajtimin e tyre. Herë pas here me kritika drejtuar institucioneve dhe Ministrisë së Kulturës artistët shprehen se është një situatë kur pak ka shpresë, që gjërat mund të kenë zgjidhje. Baritoni i njohur Ylber Gjini ka tre dekada jetë artistike në skenë, por sipas tij trajtimi i artistëve nuk është i duhuri, edhe pse kërkesat janë bërë herë pas here për këto probleme në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Në intervistën për “SOT” baritoni Ylber Gjini shprehet se sot artistët akoma se kanë të qartë se kur dalin në pension, duke shtuar që ligji për pensionet ka qenë një nga kërkesat e bëra prej vitesh, por deri tani asgjë nuk është bërë. Baritoni Ylber Gjini është një nga emrat e vlerësuar të skenës në vend, dhe shprehet se përballë kësaj gjendje artistët ikin, sepse nuk garantohet mirëqenia, puna, nuk garantohen me ligj të drejtat për artistët që të marrin pjesë në vendimmarrje. Baritoni tregon se është një nga artistët, që ka 30 vjet karrierë artistike, dhe nuk flitet për vlerësimin e duhur nga shteti. Sipas baritonit, politika i shikon artistët, që të vihen në shërbim të saj, por edhe ata me heshtjen e tyre e tregojnë që janë të tërhequr, nuk janë aktivë, kur duhet të ishin të parët që të reagonin, sepse artistët duhet të jenë gjithmonë opozitarë ndaj çdo qeverie.  

-Si ka qenë deri tani për ju sezoni artistik?

Aktivitetet kanë qenë të mundimshme për shkak të Teatrit të Operës dhe Baletit që po rikonstrukohet megjithatë teatri jonë ka pasur aktivitete. Është munduar që të jetë në punë dhe të mbajë trupat, pavarësisht se është i kushtëzuar nga kushtet, sallat, sallat e provave, studiot e artistëve që janë të papranueshme, por megjithatë unë e quaj një sezon të suksesshëm sepse janë vënë disa vepra madhore. Pavarësisht se Pallati i Kongreseve nuk ti ofron të gjitha kushtet, por sërish aktivitetet janë bërë. Por dhe ne si artistë jemi koshientë që periudha pa teatër ka qenë një sakrificë për artistët. Kanë qenë të detyruar që të harxhojnë vokal më tepër se sa duhet, sepse ky profesion kërkon akustikën e vet.

-Çfarë do të donit të ndryshonte në aktivitetin e artistëve, kush janë kërkesat kryesore?

Kryesorja për ne është statusi i artistit, që duhet të ndryshojë. Më pas ligji për artin, që është copë- copë dhe reforma e pensioneve, sepse nuk  kemi të qartë akoma se kur dalin në pension dhe nuk janë të rregulluara tamam gjërat, dhe artistët janë në tym.

-Këto janë kërkesa që artistët herë pas here i shprehin, por ende sipas tyre asgjë nuk është bërë?

Tek ne nuk ndryshon asgjë, artistët flasin dhe asgjë nuk bëhet. Artistët janë komuniteti më pasiv se të tjerët. Nuk ka rritje rrogash, nuk po flasim për kushtet, sepse nuk kanë si përmirësohen nëse nuk shkojmë në teatër. Po vuan në fakt komuniteti artistik. Po vuan nga ligjet, sepse ligji i artit përfshin të gjithë artistët dhe jo vetëm të operës dhe baletit, dhe ne prej vitesh ne kemi kërkuar një ligj të ri. Komuniteti artistik sot po vuan për këto probleme, mos harroni statusin sa vite ka që flitet dhe asgjë nuk bëhet. Nga institucionet tona vetëm premtohet.

-Sipas jush mos duhet të ishin më kërkues artistët për zgjidhen e problemeve meqë vetë shprehen se kanë vite në këtë situatë?

Ne si artistët kemi këmbëngulur prej vitesh me kërkesat tona. Por tashmë ne jemi të lodhur, sepse zëri jonë nuk dëgjohet më dhe bie në vesh të shurdhër.

-Ju do të pranoni të jeni në këtë gjendje meqë pohoni se ka probleme me statusin e munguar apo ligjin e artit?

Në dijeninë time Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë ka bërë një takim për kërkesat e artistëve me ministren e Kulturës, por ne jemi shumë pesimistë për situatën.

-Edhe më parë është ngritur një grup pune për projektligjin për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve. Sa shpresoni këtë herë?

 Po dhe më parë u ngrit një grup pune për moshën e pensionit të artistëve, por nuk duan të bëjnë, nuk funksionon.

-Ju numëroni 30 vjet karrierë artistike në skenë, sa vlerësohet sot artisti sipas jush?

Unë jam një nga artistët, që kam 30 vjet karrierë artistike dhe nuk flitet për vlerësim. Por edhe kur mendon që shumica e artistëve kanë mendjen për të ikur, tregon që diçka nuk shkon dhe kjo duhet zbërthyer dhe në mënyrë aktuale dhe filozofike: Përse ikin artistët?

-Sipas jush pse?

Artistët ikin, sepse këtu tek ne nuk garantohet mirëqenia, nuk garantohet puna, të garantohen me ligj të drejtat tona. Por deri tani ligjet tona kanë sjellë probleme në aktivitetin artistik, nuk janë ato që kërkon koha sot dhe arti e kultura jonë. Por duhet që artisti të bëjë dhe një “jetë të lumtur” dhe liritë dhe të drejtat nuk duhet të mungojnë. Nuk duhet të mungojë e drejta për artistët që të marrin pjesë në vendimmarrje.

-Kur ju shpreheni se artistët duhet të marrin pjesë në vendimmarrje çfarë kërkoni?

Unë mendoj se artistët duhet të marrin pjesë dhe në bordet. Duhet ti dëgjohet zëri për kërkesat e tyre, të dëgjohet edhe për mbarëvajtjen e punëve, kalendari artistik dhe të tjera. Pra artistët duhet të jenë pjesë e kësaj vendimmarrje, duhet të afrohen që ta ndjejnë veten që janë aktiv dhe jo pasiv.

-Për artistët është kërkuar dhe nga sindikata se duhet të ketë rritja page. Çfarë ndodh sot sipas jush?

Ne dëgjojmë që janë rritur pagat e mjekëve, mësuesve, por për artistët jo. Vëmendja ndaj artistëve është zero. Pagat e artistëve janë shumë të ulëta. Artistët në vend me pagat që kanë me shumë mundim mezi nxjerrin muajin me bukë. Nëse artisti mendon për bukën detyrimisht do të mbetet defiçitar te arti më pas, sepse janë të kushtëzuara dhe të lidhura me njëra -tjetrën.

-Ju u shprehët se artistët janë larguar për shkak të trajtimit që nuk është i duhuri. Ju vetë keni menduar të largoheni?

Unë vetë jam larguar dikur dhe jam kthyer sërish, sepse kam jetuar me shpresën që një ditë ky vend do të bëhet. Edhe tani që arriti deri këtu sa të gjithë thonë që nuk bëhet edhe unë jam i bindur që këtu nuk bëhet, por tani është vonë për mua që të largohem, sepse duhet të luftojmë këtu. Ne si artistë duhet të luftojmë këtu që të bëhet. Unë sa të jem këtu do ta ngre zërin, që të bëhet këtu për artistët. Nëse unë sakrifikova gjithë jetën time këtu në skenë do të vazhdoj akoma deri sa të kem zërin tim.

-Ju keni qenë dhe me shfaqje jashtë në skena të ndryshme, si e shikoni nivelin e teatrit tonë me ata jashtë?

Niveli jonë është mbi mesataren. Jemi në nivele shumë të mira, sepse kanë ardhur dhe të rinj që janë goxha të talentuar dhe që japin shpresë. Por ata artistë duhet të trajtohen si të tillë që të mos ikin, sepse edhe artistët që janë jashtë u bënë dhjetë vjet dhe nuk vijnë që të këndojnë këtu, pra që të bëhen pjesë e trupës sonë. Unë nuk e di se çfarë ndodh, por ata artistë jashtë janë mësuar dhe me pagesa të tjera, trajtime të tjera dhe këtu tek ne nuk i gjejnë dot.

-Ju folët për probleme të ndryshme dhe nuk është hera e parë që reagoni duke kërkuar zgjidhjen e tyre. Në këtë gjendje që është komunitet artistik, çfarë prisni nga Ministria e Kulturës në politikat në art dhe kulturë?

Me sa shikoj unë në art dhe kulturë gjendja është shumë e pashpresë. Për artistët në vend nuk do të ndryshojë asnjë gjë. Do të mbetemi po këtu ku kemi qenë dhe për një kohë. Unë nuk e di se si do të jetë më tej. Por ne si artistë do të luftojmë që të ndryshojë diçka në këtë situatë. Por mua politikën me artin në vend e ndan një hendek shumë i madh. Politika deri tani nuk ka pasur vëmendje për artin dhe artistët. Nuk është bërë gjë për problemet, që ne flasim. Këtu funksionon që grupe të caktuara duhet të ndjekin politikën mbrapa. Politika i shikon artistët, që të vihen në shërbim të saj, edhe artistët me heshtjen e vet që bëjnë e tregojnë këtë që janë të tërhequr, nuk janë aktivë, kur duhet të ishin të parët, sepse artistët duhet të jenë gjithmonë opozitarë ndaj çdo qeverie. Por tani ka një presion ndaj artistëve dhe janë liri të munguar. Nëse artisti nuk reagon për çdo problem që ndodh në vend, për situatën në vend, kur duhet të jenë të parët që duhet të ngrenë zërin dhe të kritikojnë çdo qeveri që të jetë, atëherë artistëve iu mungon liria.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here