Edi Reja: Jemi rritur shumë në lojë, tani pres rezultatet

0
429

Trajneri Edi Reja doli dje në konferencë për shtyp, ku pasqyroi gjendjen e skuadrës, shkaqet e disfatës ndaj Islandës dhe natyrisht pritshmëritë e ekipit në duelin e sotëm në “Elbasan Arena” përballë Moldavisë. Në këtë kuadër, Reja kërkon trepikëshin si kushtin e vetëm për rezultat ndaj skuadrës kuqezi, edhe pse e di që kjo do të jetë e vështirë. Në fillim trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë e nisi me një analizë të kujdesshme të humbjes së skuadrës në duelin e 8 qershorit në Reikjavik, përballë Islandës. “Kemi qenë me 4-5 lojtarë në zonën kundërshtare në ndeshjen e fundit dhe kjo është pozitive. Kemi qenë në lartësinë e duhur në anën fizike, mesfushorët lëvizën mirë pa top, por duhet sulmuar hapësirat në zonë kundërshtare, ku na mungoi finalizimi. Gjithsesi, jemi në rritje dhe jemi një skuadër që po përmirësohet. Duhet të vazhdojmë kështu. Jam shumë i kënaqur nga lojtarët që kam në dispozicion, shoh që ka entuziazëm, janë të gjithë të gatshëm dhe të vëmendshëm. Ata janë të ndërgjegjshëm se kur mund të luajnë, mund të bëjnë më të mirën. Lëvizjet në dy fazat e lojës kanë qenë në rregull, thjesht duhet të jemi finalizues në sulm. Kjo skuadër sigurisht që mund të bëjë më shumë se sa bëri në Islandë. Skema? Duhet të gjejmë zgjidhjen për të sulmuar hapësirat. Patëm vështirë për konkretizimin e sulmeve tona. Tani duhet të finalizojmë këtë lojë, që mendoj se shkoi mirë në Islandë. Nesër në mëngjes do të flas edhe me lojtarët, në mënyrë që të luajmë me formacionin më të mirë. Ata që ndihen të lodhur, edhe mund të pushojnë, sepse kemi një grup të kompletuar dhe mund të bëjmë disa ndryshime. Por kemi pak kohë që jemi kthyer, kemi ende kohë për të vendosur për formacionin. Nuk mund ta bëj të ditur formacionin për shtypin, jo se nuk e kam në konsideratë shtypin, por së pari duhet ta bëjë këtë me futbollistët, duhet të komunikoj me ta. Sadiku është gati, Uzuni po ashtu. Duhet të shohim, por e përsëris se 3-4 ndryshime do të bëhen. Sadiku është një lojtar që ka konfidencë me golin dhe mund të luajë”, u shpreh Reja në konferencën e djeshme për shtyp. Më tej ai komentoi disa elementë që duhet të jenë në lartësinë e kërkuar gjatë duelit të sotëm me moldavët. “Duhet përqendrim dhe motivim i madh. Dua që skuadra të ketë të njëjtën sjellje në fushë. Duhet t’i respektojmë të gjithë dhe të mos kemi frikë askënd, këtë u them futbollistëve gjithmonë. Islanda pati një rast dhe shënoi, kurse ne luajtëm më shumë dhe nuk finalizuar. Këto janë probleme të skuadrave në rritje. Skuadra është kompakte, kjo ka shumë rëndësi. Jemi në rrugën e duhur, siç tha edhe Hysaj. Tani duhet të përmirësohemi. Objektivi ynë është të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje”, vijoi më tej trajneri italian Reja. Tekniku veteran italian foli në fund për pozitat e skuadrave në grup, ku Turqia dhe Franca janë dukshëm pretendente pëer të zënë vendet e para në grup. “Ne nuk shohim çfarë bëjnë Turqia dhe Franca, shohim vetëm shtëpinë tonë. Ne duhet të përballemi me kundërshtarin me vendosmëri dhe të qartë për atë që duhet të bëjmë. Janë episodet pastaj që vendosin në një ndeshje. Ne kemi nevojë të bëjmë një paraqitje të mirë dhe ta fitojmë ndeshjen, sepse kështu aspekti moral do të ishte i jashtëzakonshëm. Lojtarët kanë nevojë të ndihen të shpërblyer për atë që kanë bërë deri tani. Do ta kërkojmë këtë me të gjitha forcat tona. Për një trajner kombëtareje është e vështirë, sepse futbollistët nuk luajnë në një kampionat. Ata aktivizohen në kampionate të ndryshme dhe janë botë krejtësisht të ndryshme në futboll, kështu që trajneri ka vështirësinë për ta përshtatur grupin”, nënvizoi Reja. Në fund tekniku bëri të qartë përfundimisht edhe çështjen e shiritit të kapitenit, që ia besoi përfundimisht Hysajt. “Kapiteni do të jetë Hysaj, kjo është zgjedhja ime”, përfundoi Reja gjatë konferencës për shtyp të organizuar dje në Durrës, ku ndodhet e grumbulluar skuadra përfaqësuese.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here