Festivali “Za Fest” në edicionin e tretë, bën bashkë artistët shqiptarë dhe të huaj

0
37

Festivali “Za Fest” rikthehet në edicionin e tretë këtë vit. Festivali do të zhvillohet në ditët e para të muajit gusht në Theth dhe ka si qëllim rizgjimin e shpirtit të këtij vendi, rikthimin e vëmendjes drejt kësaj perle të veriut të Shqipërisë, si dhe shndërrimin e saj në pikën e takimit të kulturave të ndryshme përmes artit si gjuhë e përbashkët. Sipas organizatorëve, ky festival synon të ndihmojë në bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendas, fqinjë e nga vende të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor. Festivali zhvillohet në datat 2,3, 4 gusht në Theth dhe marrin pjesë artistë të njohur shqiptarë, por dhe të huaj që për tre net do të jenë para publikut. Elina Dunit, Piers Faccini, Vlashent Sata, Arben Bajraktaraj, Bob Berkey, Agona Shporta dhe Don’t listen to your Neighbors janë pjesë e festivalit. Gjithashtu aktivitete të tjera si hiking, joga, panair kulinarie, kinema verore, tregime e legjenda dhe biseda e hapur “Logu i Za Fest” janë në ditët e festivalit. Drejtori artistik kantautori Vlashent Sata, shprehet se ky festival synon bashkimin e njerëzve, duke ftuar artistë vendas, fqinjë e nga vende të ndryshme të botës, duke mundësuar kështu një bashkim të gjerë kulturor. “Dëshira për realizimin e këtij festivali ka lindur nga unë, por e frymëzuar nga artistë të tjerë, që kanë dashur përherë që të jenë të angazhuar për të bërë diçka për Shqipërinë”, shprehet drejtori artistik. Festivali “Za Fest” është krijuar nga Vlashent Sata në gusht të 2017 me idenë e krijimit të një strukture që rizgjon vlerat shqiptare, kultivon artin, i cili bashkon njerëzit në gjuhët e tij universale, ndihmon popullatën vendase në pikëpamje sociale, zhvillon ekonominë lokale, rajonale dhe kombëtare, ruan natyrën dhe përgjegjëson në raport me të. “Dëshira është që të gjithë të rritemi me “Za Fest”, të udhëhiqemi nga kultura dhe e bukura për të rizgjuar shpresën në këtë vend, që kaq shumë e ka të nevojshme dhe i mungon”, shprehet ai.

Artistët pjesëmarrës

Jo më kot i quajtur Za (gegnisht za, zani, zëri) një nga pikat më të forta të “Za- Festival” është muzika. Zëra magjepsës që kumbojnë mes maleve madhështore të Thethit, duke përcjellë një emocion e ndjesi të pa provuar më pare. Një tjetër veçanti e këtij festivali është rizgjimi i kulturës shqiptare përmes gojëdhënave, tregimeve, legjendave dhe përrallave të moçme. Një udhëtim në kohë i shoqëruar nga interpretimi emocionues i Arben Bajraktaraj, një nga aktorët shqiptarë më në zë në Francë e më gjerë. Elina Duni vjen në festival bashkë me muzikantët e saj: Rob Luft në kitarë, Tom McCredie në bas, Corrie Dick në bateri dhe i ftuar Gent Rushi në fizarmonikë. Bob Berky, i njohur si një nga kllounët më të dashur në festivalet më të mëdha të botës vjen për të na gëzuar me artin e tij unik në të parën performancë të këtij lloji në “Za Fest”. Nuk mungon në festival në edicionin e tretë dhe artisti multidimensional anglez, Piers Faccini. Artisti anglez vjen për herë të parë në Theth, për t’i kënduar Orëve me poezi e për të kumbur ritmet e tij deri në kurorat e Bjeshkëve. Muzika e Agona Shportës sjell në festival një kombinim të pasur dhe shumëllojshëm të tingujve dhe kulturave, përmes një zëri dhe interpretimi autentik. Grupi “Don’t listen to your Neighbors” është gjithashtu pjesë e festivalit. Grupi është krijuar në 2015 nga Adhurim Grezda, Endrit Xerxa dhe Dalvin Mamusha, tre muzikantë të cilët kanë mbajtur gjithnjë një koleksion të rafinuar të repertorit tradicional shqiptar dhe në vitet e fundit kanë zhvilluar një stil mjaft unik me elementë xhazi dhe të përpunuara me orkestrime të sofistikuara.

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj