“Artisti i vetmuar” në skenën e Teatrit Kombëtar, me mesazh për degradimin e artit

0
331

Beteja për të mbrojtur godinën e Teatrit Kombëtar duket se do të jetë e gjatë. Pas tentativave për të boshatisur godinën, qeveria është tërhequr, por për artistët dita kur fadromat të shkojnë aty mund të mos jetë shumë e largët. Përveç qëndrimit ditë e natë pranë godinës së teatrit, artistët kanë gjetur edhe një tjetër formë për të mbrojtur kauzën e tyre. Çdo dy ditë, artistët vendosin shfaqje të ndryshme për të treguar se teatri do vijojë të jetë edhe më gjatë dhe se është i përshtatshëm për të vënë shfaqje. Në krah të artistëve ka dalë edhe aktori dhe regjisori nga Kosova Naim Berisha, i cili vendosi dje veprën “Artisti i vetmuar”. Kjo vepër trajton dramën e brendshme të një artisti të madh, i cili për shkak të degradimit të artit dhe shijes së publikut, përjashtohet nga shoqëria me dhunë, që më vonë u vu në situata të skajshme jetësore dhe ekzistenciale. Naim Berisha ishte personazhi i vetëm i kësaj shfaqe, i cili mbante emrin Hans Klip. Në vepër, Hans Klip bëri prezantimin e tij të fundit para publikut të tij të zgjedhur, ku rrëfeu jetën e tij dhe momentet kulmore artistike në të kaluarën, si dhe dramën e tij në të tashmen. Në fund të tekstit, Hans Klip u largua i dëshpëruar jo vetëm nga arti i tij, por edhe nga vetvetja, duke rënë në humnerë të pakthyeshme dëshpërimi. Vepra “Artisti i vetmuar” dha një mesazh të qartë, ku u bëri thirrje për kthimin e vlerave kulturore në një shoqëri që është larguar nga vlerat e mirëfillta dhe paraqet protestën sublime kundër antivlerës.

Prishja e godinës së Teatrit Kombëtar

Vendimi i artistëve për të vënë në skenë shfaqje të ndryshme vjen në vijim të rezistencës së tyre për të kundërshtuar prishjen e godinës së teatrit. Rezistenca e artistëve vijon ende, të cilët shprehen të vendosur se nuk do lëvizin nga kauza e tyre deri në tërheqjen e qeverisë. Artistët në mbështetje edhe të shoqërive civile po protestojnë për rreth një muaj. Shumë emra të njohur të skenës dhe teatrit si aktori Neritan Liçaj, regjisorët Edmond dhe Robert Budina e shumë emra të tjerë janë shprehur njëzëri se do e mbrojnë me jetën e tyre teatrin, ku kanë shprehur edhe rëndësinë historike që ajo godinë ka për vlerat e vendit. Pak ditë më parë, Edmond Budina u shpreh se rezistenca për mbrojtjen e teatrit do të vazhdojë, duke shtuar se janë artistët ata që e drejtojnë demokracinë dhe jo politikanët. “Politikanët shkojnë e vijnë, qytetarët mbeten. Në duhet ta drejtojmë demokracinë. Këtej e tutje mos na lini vetëm. Prej një viti e gjysmë që jemi natë për natë dhe kemi 5 net që po e gdhijmë këtu. Ju falënderoj me shpirt që jeni këtu. Ne do të jemi këtu deri në fund, derisa sa të bjerë kjo qeveri dhe të rikonstruktohet ky teatër. Ne nuk tërhiqemi”, u shpreh Edmond Budina.

Mediat ndërkombëtare

Një pasqyrim të gjerë të protestave të artistëve ka pasur edhe nga mediat ndërkombëtare. “Euro News” i ka dedikuar një artikull të veçantë kauzës së artistëve, ku trajtohen debati i nxehtë në Shqipëri dhe trajta që tashmë ka marrë kjo çështje, duke u konsideruar ndërkohë si diçka që e ka tejkaluar “konfliktin” për një ndërtesë e që është shndërruar në një kauzë për demokracinë në vend, duke e etiketuar si mosmarrëveshje të politizuar. “Nuk ka patur konsultime publike, askush nuk dëshiron të dijë për atë që ndjejnë artistët dhe qytetarët. Dhe kështu kjo është bërë një luftë për të mbrojtur dhe ruajtur demokracinë në këtë vend dhe për t’i thënë STOP aleancës së bizneseve dhe politikanëve të korruptuar“, u shpreh regjisori Kastriot Çipi për “Euro News”. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here