Ja skema që do ndiqet për SPAK, kryeprokurori 3 muaj në detyrë për të mbyllur transferimin e dosjeve dhe ngritjen e BKH, angazhohen SHBA-BE

0
246

Zbardhen detaje nga strategjia që do të ndiqet për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. KLP vendosi që më 25 nëntor të përzgjidhen 8 emrat e SPAK, ndërsa gazeta ka mësuar se si realisht do procedohet. Sipas burimeve, në vendim do theksohet se ai hyn në fuqi 3 javë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Gjatë këtij tre-javori, do mbyllet përzgjedhja e kryeprokurorit të SPAK. Më 25 nëntor KLP do hapë garën për kryeprokuror dhe secili nga 8 emrat ka 1 javë kohë të shprehë interes. Më pas do shqyrtohen kandidaturat dhe brenda 2 javësh do zgjidhet kryeprokurori. Por gazeta ka mësuar se ai do jetë i përkohshëm dhe do qëndrojë në krye të prokurorisë vetëm 3 muaj, pra deri në fund të shkurtit. Arsyeja që do bëhet një manovër e tillë do jetë për të eliminuar të gjitha vonesat me transferimin e dosjeve, plotësimin e organikës së SPAK dhe ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kushtetuta shprehet se SPAK nuk mund të veprojë me më pak se 10 prokurorë. KLP do emërojë 8 dhe do ja lërë në dorë kreut të prokurorisë të emërojë emrat e tjerë. Po ashtu emërimi i tij në mënyrë të përkohshme lidhet dhe me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi ajo do jetë në dorë të kryeprokurorit të SPAK. Sipas ligjit, është ai që hap procedurat për rekrutimin e anëtarëve të SPAK. “1. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, Zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. 2. Organizimi i brendshëm i Byrosë Kombëtare të Hetimit rregullohet nga urdhri i përbashkët i Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në ligj. Pra, KLP ka gjetur një strategji për të emëruar një drejtues të përkohshëm me qëllim që Byroja e Hetimit të marrë jetë dhe sipas gjasave ajo do jetë gati brenda shkurtit. Një tjetër arsye ka të bëjë dhe me transferimin e punonjësve. Krimet e Rënda do shkrihen dhe një pjesë e stafit do kalojë te SPAK. Por do jetë kryeprokurori i posaçëm ai i cili do të mbikëqyrë procesin dhe do nxjerrë udhëzime për transferimin e tyre. Po ashtu ai do jetë gardian dhe për transferimin e dosjeve. Nga ana tjetër, pritet të ketë bashkëpunim dhe me SHBA-BE. Sipas burimeve, do jenë EURLAIUS dhe ODAT që do të asistojnë përmes rregulloreve dhe udhëzimeve mbi mënyrën se si duhet të veprohet për ngritjen e SPAK.

Kreu i SPAK

Në Kodin e Procedurës Penale jepen detajet mbi rolin e kreut të SPAK. Së pari, është ai që vendos nëse një çështje do kalojë nga prokuroritë e rretheve te SPAK. “Nëse prokurori i Prokurorisë së Posaçme merr dijeni se pranë një prokurorie janë duke u zhvilluar hetime paraprake në ngarkim të të njëjtit person dhe për të njëjtin fakt, në lidhje me të cilin ai procedon, njofton pa vonesë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, i cili vendos, sipas rregullave mbi kompetencën, se cila prokurori duhet të procedojë. Në rast se ai vendos që kompetenca i takon Prokurorisë së Posaçme, njofton prokurorinë e caktuar, e cila duhet t’i dërgojë aktet”, thuhet në Kod. Po ashtu tregohet se SPAK do dominojë mbi të gjitha prokuroritë e tjera. Në rast konfliktesh është SPAK që ka të drejtë. “Mosmarrëveshjet në fazën e hetimit paraprak mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, zgjidhen nga prokurori më i lartë. Në rast konflikti gjatë hetimeve paraprake ndërmjet Prokurorisë së Posaçme dhe një prokurorie tjetër, ka përparësi kompetenca dhe juridiksioni i së parës. Zbatohen parashikimet e neneve 28 dhe 29 të këtij Kodi”, thuhet më tej.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here